Kodiku i Purpurt i Beratit, i klasifikuar nga UNESCO te “Memorja e botës”, daton në shekullin VI dhe është i shkruajtur në pergamenë të purpurt. Ai është një nga katër kopjet e vetme të gjetura në të gjithë botën. I dyti është Kodiku i Artë (Codex Aureus) i shekullit IX, i shkruajtur në pergamenë me shkronja ari. Që të dy këta kodikë përmbajnë pjesë nga ungjijtë të shkruajtura në greqishten e vjetër.
Kodiku i Purpurt i Beratit ka 190 fletë dhe përmban dy ungjij: sipas Markut dhe sipas Matheut. Është shkruar me gërma të derdhura prej argjendi, sipas vlerësimit të ekspertëve, “në fletë të ngjashme me letrën e zakonshme, që ka të ngjarë të jetë prodhuar nga ngjeshja e shumë elementeve petëzorë me natyrë bimore, siç janë fletët e papirusit”. Por bizantologët mendojnë se lënda e dorëshkrimit është pergamenë. Teksti i “Codex Purpureus Beratinus” është shkruar në stilin antik scripta-continuae, domethënë pa ndarje të fjalëve nga njëra-tjetra, pa thekse dhe shenja të tjera të veçimit të fjalëve.
Kodiku i Purpurt i Beratit përbën një nga objektet më me vlerë të periudhës Mesjetare që ka trashëguar Shqipëria. Sipas Kronikës së Skuripeqit, kodiku ndodhej në qytetin e Beratit në vitin 1356 dhe u shpëtua nga grabitja e mësymësve pasi u fsheh në kullën e kalasë, së bashku me 25 libra të tjerë. Deri në vitin 1868, për pothuaj 5 shekuj, nuk kemi pasur asnjë informacion për të. Sipas gojëdhënës, kodiku fshihej nga banorët në rast rreziku lufte apo pushtimi, vendi i fshehjes mbahej sekret dhe nxirrej në kohë paqeje.
Në këtë mënyrë, kodiku mbeti në Berat edhe pas përpjekjeve që kishin bërë ushtri të ndryshme për ta përvetësuar gjatë historisë. Nuk dimë se kur u fsheh për herë të fundit kodiku, por në korrik të vitit 1968 u zbulua në një bimsë në hijeroren e kishës së Fjetjes së Hyjlindëses (sot Muzeu Onufri) në Kala të Beratit. Në vitin 1971 u restaurua në Akademinë e Shkencave të Republikës Popullore të Kinës dhe pasi u kthye prej andej, u depozitua në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, ku ruhet edhe sot.