Në datat 25-26 shtator 2021 u mbajt në Korçë, Konferenca Ndërkombëtare me temë: “Mësimi i shkencave shoqërore dhe humane në medresetë e ballkanit”, e cila pati si synim të hedhurit dritë mbi përfshirjen e shkencave humane dhe shoqërore në kurrikulat e medreseve të Ballkanit dhe statusin e tyre aktual.
Pjesëmarrësit vinin nga fusha e disiplina të ndryshme shkencore, institucione kërkimore-shkencore, shtetërore e private, ofrues të arsimit, institucione të bashkësive fetare islame, udhëheqës të komunitetit, mësues e predikues nga Shqipëria, Kosova, Bosnjë-Hercegovina, SHBA, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Kjo konferencë u organizua nën koordinimin e Institutit të Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit (IETT) Tiranë dhe Qendrës për Studime të Avancuara (CNS), Sarajevë në bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam (AIITC), Tiranë, Qendrën për Mirëkuptim Ndërkulturor “Horizonti”, Podgoricë dhe Institutin Ndërkombëtar të Mendimit Islam, (IIIT), SHBA.
Në sesionin e mirëseardhjes mbajtën fjalën e rastit, Drejtori i IETT, Prof. Ass. Dr. Ramiz Zekaj. Drejtori i CNS, Prof. Dr. Ahmet Alibašićë; Sekretari i Përgjithshëm i IIIT, Prof. Dr. Omar H. Kasule; Drejtori i AIITC, Dr. Ardian Muhaj; Drejtori i “Horizonti”, M.A. Omer Kajoshaj dhe Prof. Arto Dili, Zv. Rektor i Universitetit “Fan S. Noli”, Korçë.
Një vend të veçantë zuri fjala përshëndetëse e Prof. Ramiz Zekaj, i cili ndër të tjera u shpreh se:
– “Integrimi i medreseve në sistemin arsimor të shtetit modern, i cili është një shtet-komb, i vë ato përballë përgjegjësisë për të zgjeruar objektivat e edukimit, duke i shtuar atij fetar edhe vlerat e edukimit qytetar, i cili arrihet nëpërmjet mësimit të shkencave shoqërore e humane”.
Dita e parë e punimeve pati katër sesione me ligjërata, që kishin në fokus: historinë e shkencave humane dhe shoqërore në medresetë e Ballkanit dhe futjen e tyre në programet mësimore; profilin dhe statusin e kurseve laike dhe mësuesve të tyre në medresetë e Ballkanit; mënyrat si trajtohen çështje të ndjeshme fetare në medrese etj.
Përgjatë dy ditëve të punimeve të konferencës, referuesit paraqitën rezultatet e hulumtimeve të tyre mbi tematikën e konferencës dhe parashtruan propozimet dhe mendimet e tyre mbi mangësitë dhe problemet në mësimin e shkencave shoqërore dhe humane në medrese.
Në fund të ditës së dytë, u bënë përmbledhjet e rezultateve dhe arritjeve të konferencës, të cilat nxitën frymën e bashkëpunimit dhe ndërveprimit mes pjesëmarrësve dhe kjo konferencë rezultoi si një përvojë e dobishme për ta.