Instituti i Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit (IETT), në bashkëpunim me Kolegjin Universitar Instituti Kanadez i Teknologjisë (CIT), organizoi një vizitë studimore ku studentët patën mundësinë të ndërthurin historinë me teknologjinë, duke reflektuar mbi mënyrat bashkëkohore për ruajtjen dhe përmirësimin e përvojës muzeale dhe trashëgimisë kulturore.
Vizita nisi në Muzeun e Krujës, ku studentët shqyrtuan mundësitë për të përdorur teknologji moderne që mund të pasurojnë përvojën e vizitorëve dhe të bëjnë më të lehtë lidhjen e tyre me historinë dhe kulturën.
Më pas, në Muzeun Etnografik, ata u njohën me përdorimin e realitetit të shtuar (AR) dhe realitetit virtual (VR), duke diskutuar mundësitë për përmirësime të mëtejshme digjitale që mund të rrisin ndërveprimin e vizitorëve me ekspozitat dhe të bëjnë të mundur një përvojë më të pasur.
Gjatë kësaj vizite studimore, studentët jo vetëm që vëzhguan sfidat ekzistuese të muzeve, por edhe ofruan propozime për zgjidhje teknologjike që mund të bëjnë muzetë më të ndërveprueshëm, më të aksesueshëm dhe më tërheqës për publikun e gjerë.
Aktiviteti u përmbyll me një drekë tradicionale, ku studentët shijuan gatimet karakteristike të zonës mes peizazheve të mrekullueshme të Krujës.