Kulla e Mic Sokolit është ndërtuar nga fundi i shek. XVIII në fshatin Bujan të Tropojës dhe sjell deri në ditët tona imazhin e shumë ngjarjeve historike. Për nga tipologjia, ajo i ngjason banesës së fortifikuar të malësisë së Gjakovës. Karakteristikë e veçantë e saj është numri i madh i dritareve të vogla, të quajtura ‘frëngji’, të shpërndara në katër anët e ndërtesës si dhe çatia e saj në formë piramidale.
Vendasit e Tropojës e vlerësojnë këtë ndërtim trekatësh si një ikonë të trashëgimisë së tyre historike dhe kulturore, pasi këtu lindi dhe u rrit heroi Mic Sokoli. Aktet e trimërisë së tij janë të shumta, ku spikat rënia heroike në betejën e Slivovës. Ai kur pa se mposhtja e ushtarëve osmanë ishte e pamundur, u vetëflijua duke i vënë gjoksin para topit të tyre.
Kjo kullë guri ka parë shumë beteja dhe i ka mbijetuar shumë sulmeve. Si e tillë, ajo ka një vlerë të veçantë patriotike për mbarë vendin. Në fakt, ekspozitat brenda kullës muze përqendrohen jo vetëm tek Sokoli, por edhe në paraqitjen e rezistencës kombëtare kundër pushtuesve.
Kulla e Mic Sokolit është dëshmi e qëndresës dhe pathyeshmërisë së malësorëve trima të malësisë së Gjakovës, ndaj edhe u shpall monument kulture në vitin 1978.