Dy botimet më të reja të autorit, studiuesit dhe botuesit Xhevair Lleshi e nisin rrugëtimin për te lexuesit në një zonë që ka shumë të rinj të pasionuar ndaj librave.
Në sallën e Pallatit të Kulturës në Roskovec shumë të rinj dhe personalitete vendore, si Kryetarja e Bashkisë znj. Majlinda Bufi, Nënkryetari i Bashkisë z. Maksim Goga, autor dhe përkthyes z. Bajram Karabolli, drejtuese në Shtëpinë Botuese “Media Print” znj. Anila Bisha, drejtues i Shtëpisë Botuese “Onufri” z. Bujar Hudhri, mes tjerësh dhe Kryetari i Bordit Drejtues të IETT-së Prof. Dr. Ramiz Zekaj, krijuan një mjedis të bukur libror kushtuar botimeve të autorit Xhevair Lleshi.
Në këtë mbrëmje letrare të rinjtë lexuan copëza fragmentesh nga librat e shkrimtarit, veçanërisht nga veprat e tij të fundit “Endem nëpër re me tim bir” dhe “Shtëpia e vallëzimit”, duke u njohur më shumë me autorin dhe krijimtarinë letrare të tij.
Duke parë dëshirën dhe përkushtimin e tyre ndaj leximit autori dhuroi 84 tituj të zgjedhur (252 libra) për të pasuruar bibliotekën e Roskovecit me botime të reja.