Kështjella madhështore e vendosur në Shkodër mban në vete një nga legjendat më interesante dhe më të trishtueshme të vendit.
Flitet për tre vëllezër të martuar me tri gra që jetonin në Shqipërinë e veriut. Të tre vëllezërit punonin ditë e natë për të ndërtuar një kala, mirëpo sa herë që ata mbaronin punën, muret e kësaj kalaje shembeshin. Një ditë, një plak u tha atyre se kishte një mënyrë që muret e kësaj kalaje të mos shembeshin më, një flijim dhe kjo kala do të ngritet. Ky flijim konsistonte në sakrificën e njërës nga gratë, varrosjen e njërës prej tyre në murin e kalasë, cilado që do t’ua dërgojë bukën në mëngjes. Ky diskutim në mes të vëllezërve dhe plakut do të duhej të mbetej vetëm mes tyre.
“Në shtëpi mos bisedoni për fjalët që do t’ju them unë. Ajo e cila do të vijë nesër, të sjellë mëngjesin, merreni dhe muroseni të gjallë, në murin e kështjellës”, ishin fjalët e plakut.
Sipas legjendës, të dy vëllezërit më të mëdhenj, u shpjeguan situatën grave të tyre, ndërsa vëllai i vogël mbajti fjalën. E nesërmja erdhi dhe vëllezërit prisnin të shqetësuar se kush do të vinte t’ua sillte mëngjesin. Ajo që do të flijohej doli të ishte Rozafa, gruaja e vëllait të vogël, e cila nuk qe në dijeni për asgjë.
“Çekanët ndalën, e s’shkapeten, por zemrat rrahën fort. Fytyrat u zbehën, sheh vëllai i vogël gruan e tij dhe hedh çekanin prej dore, mallkon gurin e murin”. Vëllai i vogël, burri i Rozafës, i tregon asaj që duhet flijuar dhe varrosur në muret e kalasë në mënyrë që kështjella të ngritët. Sipas legjendës, Rozafa pranoi fatin e saj, por ajo kishte vetëm një dëshirë.
“Unë do të lë një porosi, kur të më murosni në mur, syrin e djathtë të ma lini jashtë, dorën e djathtë të ma lini jashtë, këmbën e djathtë të ma lini jashtë, gjirin e djathtë të ma lini jashtë. Djalin e kam të vogël, kur të fillojë të qajë, me njërin sy do ta shikojë, me njërën dorë do ta ledhatojë, me njërën këmbë do ta përkundë djepin dhe më njërin gji do ta ushqejë. Gjiri m’u nguroftë, kështjella qëndroftë, djali im u trimëroftë, u bëftë mbretë e mbretëroftë”, këto janë fjalët e Rozafës sipas legjendës.