I mbushur plotë me bukuri dhe legjenda, liqeni i Ohrit mbetet një ndër atraksionet më të mira në vend.
Egziston një legjendë mbi këtë liqen që thotë: “Kur Zoti krijoi liqenin e Ohrit tha: ‘kam krijuar liqenin më të bukur në planet, mirëpo, njerëzit këtu janë shumë mëkatar, si pasojë e mëkatit, do krijojë edhe një përbindësh’ dhe ashtu bëri. Askush nga njerëzit nuk e dinte se çfarë përbindëshi do të krijonte Zoti, prandaj të gjithë kishin frikë që të jetonin pranë këtij liqeni. Një ditë prej ditësh një djalë i kësaj ane i quajtur Strugë, vendosi që të shkonte tek liqeni. Ai u zhyt në ujë që të ballafaqohej me përbindëshin dhe aty filloi një luftë e ashpër deri në vdekje. Kështu përbindëshi e fitoi betejën dhe e përpiu të riun. Pas kësaj situate, banorët e kësaj zone vendosën që ta sfidojnë përbindëshin. Në brigjet e këtij liqeni ata ndërtuan një fshat, të cilit në nder të vdekjes së të riut ia vendosën emrin Strugë.”
Po ashtu, për liqenin e Ohrit ekziston edhe një legjendë e cila flet për varrosjen e një qyteti afër këtij liqeni, ku banonin fisi ilir Enkelejdët. Legjenda tregon që një tërmet i fuqishëm që kishte ndodhur në atë kohë, rrënoi tërë qytetin duke e zhytur atë nën ujë dhe se akoma sot e kësaj dite rrënojat e tij gjenden nën liqenin e Ohrit.
Andaj, mund të thuhet se përveç vlerave historike, kulturore dhe fetare, ky liqen përmban edhe një histori mitologjike dhe legjendare në vete. Me bukuritë natyrore dhe pozitën shumë të volitshme gjeo-politike, është kthyer në një vend me rëndësi të veçantë të turizmit dhe kulturës në vend.