Në këtë legjendë thuhet se kishin qenë njëherë e një kohë dy vëllezër trima që tërë jetën e tyre e kishin kaluar duke luftuar me shpata e me shtiza. Më i madhi dhe më i fuqishmi kishte qenë Muji. Më i vogli dhe më i zhdërvjellëti kishte qenë Halili. Aq i fortë kishte qenë Muji saqë kur një kalimtar i rastit e kishte pyetur atë se kah i bie filan fshati, Muji që kishte qenë duke lëvruar në arë i kishte ngritur duartë bashkë me plugun dhe qetë e lavrës në drejtim të atij fshati. Aq i zhdërvjelltë kishte qenë Halili, saqë ai me lëvizjet e tij trupore të shpejta i kishte ikur jo vetëm shpatës por edhe shtizës e shigjetës. Kështu, fuqia e Mujit dhe zhdërvjelltësia e Halilit kishin bërë hatanë dhe kishin marrë dhenë. Derisa lufta ishte bërë me shpata, shtiza e shigjeta, Mujit e Halilit s`kishte guxuar t`u dilte kush para. Për t`i mbrojtur viset e tyre ilire-arbërore, ata kishin luftuar me ushtarë të Krajlit e me “asqerë” të Sulltanit. Por, para se gjithash ishin kundër bandave sllave të njohura si „çeta të harambashëve“, të cilat asokohe kishin bërë grabitje, djegie e vrasje në mesin e fiseve ilire-arbërore. Ndonëse të gjitha luftërat i kishin pasur të pabarabarta, megjithatë, ata të gjitha luftërat i kishin fituar. Por, siç thotë legjenda, me t`u zbuluar pushka, Muji e Halili i kishin thënë njëri-tjetrit: “Vëlla tani ka dalë një armë e re që edhe neve na vret, prandaj po futemi në shpellën e Udbinës dhe s`po dalim më!”. Që asokohe për trimëritë e Mujit dhe Halilit tregohen legjenda e këndohen këngë epike në mesin e shqiptarëve dhe të boshnjakëve.