IETT organizoi një leksion të hapur me Prof. Dr. Khalid Alskait, nga Kolegji i Arkitekturës dhe Planifikimit në Universitetin “King Saud”, Arabi Saudite.
Ai solli për të pranishmit shembullin e ndërtimit të qytetit Banban në Riad, Arabi Saudite me materiale natyrore. Këto lloj ndërtimesh, siç është rëra e ngjeshur, veç të tjerash kanë jetëgjatësi që shkon 600-700 vjet më shumë në krahasim me betonin, i cili shkon 60-70 vite dhe më pas kërkon ndërhyrje.
Këtu u dha si shembull edhe Pallati Alhambra në Granada, Spanjë, i cili është një ndërtesë mbi 1000 vjeçare dhe e ndërtuar me materiale natyrore.
Në Gadishullin Arabik zgjidhja e gjetur nga Profesori, në mungesë të gurit, ishte interesante. Në vend që të merret guri dhe të skalitet për t’i dhënë formë, bëhet ndërtimi i gurit në kallëpe të posaçme drejtëkendëshe, duke e përzierë rërën me një përqindje të vogël uji dhe gëlqereje. Kjo metodë e ndërtimit të gurit është më e shkurtër sesa skalitja e gurit të gjetur.
Në këtë mënyre ndërtohet një shtëpi e izoluar nga zhurmat, e padepërtueshme dhe shumë e fortë.
Leksioni i prof. Khalid na tregoi një kulturë më vete dhe na risolli në vëmendje trashëgiminë tonë kulturore dhe objekte të vjetra, që i kemi të trashëguara edhe sot, të ndërtuar nga paraardhësit tanë me lëndë natyrore ndërtimi.
Ky takim i hapi rrugë një mundësie bashkëpunimi me Universitetin King Saud për një workshop me studentët tanë të arkitekturës, inxhinierisë etj., për të ndërtuar edhe ata vetë një objekt me lendë natyrore.