“Tour Operator”- Leksion i hapur me studentë të Universitetit të Korçës, UNIKO

IETT në bashkëpunim me agjencinë turistike “Balkan Pearls Tour Operator” dhe Fakultetin e Ekonomisë, Departamenti Marketing – Turizëm në UNIKO zhvilluan orën e leksionit të hapur “Operatori turistik”.

Leksioni i drejtuar nga Znj. Vilma Meta, menaxhere e agjencisë BPTO, trajtoi një shumëllojshmëri çështjesh mbi komponentët bazë të turizmit, ndryshimin mes një operatori dhe agjenti turistik, detyrat apo përgjegjësitë e tyre.

Në sesionin e dytë, duke krijuar një lidhje paralele mes pjesës teorike, si shembull u mor eksperienca e agjencisë turistike “Balkan Pearls Tour Operator” për të shpjeguar si funksionon një cikël i produktit turistik apo kategorizimi i operatorëve turistik.

Sesioni përmbyllës iu kushtua pyetjeve që kishin studentët në lidhje më koncepte të tjera në fushën e turizmit, eksperiencën e nevojshme për të marrë përsipër menaxhimin e një agjencie turistike, apo mënyrave si të kesh sukses në krijimin e kontakteve ndërkombëtare.