Libri “Korça pa makijazh” i autorit Vepror Hasani, vjen për lexuesin shqiptar nga Instituti i Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit, në një botim voluminoz dhe me shumë vlerë për të shkuarën historike të këtij qyteti, por edhe për rëndësinë e tij turistike.
Në këtë vepër përshkruhet historia e qytetit të Korçës, jo si një legjendë a gojëdhënë, por me datë të saktë themelimi dhe me vërtetësi në çdo ngjarje e në çdo detaj. Ajo është produkt i bashkëpunimit me disa autorë elitarë të angazhuar në shkrimin e historisë së Korçës. Gjithashtu, autori ka hulumtuar nëpër arkiva dhe ka shfletuar faqe të tëra revistash e gazetash të kohës. Përmes një udhëtimi historik imagjinar, libri na tregon gjithçka mbi qytetin që si zanafillë ka një objekt kulti, por që dita-ditës u zhvillua, duke qenë se ndodhej në një kryqëzim rrugësh. Rrëfimi nis me domethënien dhe kuptimin e emrit “Korçë”, pastaj shtjellon hap pas hapi progresin e qytetit në urbanistikë, në arkitekturë, në ekonomi, në kulturë etj.
Përveçse si mozaik arkitektonik, Korça na prezantohet njëherazi edhe si amfiteatër ngjarjesh, lëvizjesh epokale për lëvrimin e gjuhës shqipe, për shkollën shqipe, posaçërisht heroizmi për mbrojtjen e trevës korçare, e lakmuar nga pushtuesit. Përmes këtij rrëfimi, lexuesi zgjeron bagazhin e tij historik e kulturor, me zhvillimet e vrullshme të Korçës në fushën e kulturës, artit, letërsisë, muzikës etj. Libri është i shoqëruar edhe me foto ndër vite të Korçës me rrethina, në përputhje me ngjarjet e përmendura në çdo nënkapitull, duke e bërë edhe më konkret përshkrimin për lexuesin.
Ky libër do t′u shërbejë më së miri studiuesve dhe turistëve, duke qenë pjesë e bibliotekave, librarive dhe e zyrave të informacionit për guidat turistike. Gjithashtu ai do të promovohet edhe gjatë veprimtarive të IETT, brenda dhe jashtë vendit.