Ulqin, 25 shtator 2019
Instituti i Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit (IETT), ka në fokusin e tij, përveç të tjerave, edhe pasurimin e librotekave në të gjithë hapësirat shqipfolëse. Qëllimi i këtij projekti është përhapja e dijes mes gjithë grupmoshave, nëpërmjet dhurimit të librave në zhanre të larmishme.
Librat që përzgjidhen për dhurim nga fondi i Institutit IETT, i dhurohen institucioneve të ndryshme kulturore dhe arsimore, publike e private, në ndihmesë të nxënësve, studentëve dhe të apasionuarve pas leximit.
Në këtë kuadër, me nismën e Kryetarit të Bordit Drejtues të IETT, Prof. Xhevahir Lleshi, iu dhuruan Librotekës së qytetit të Ulqinit mbi 260 ekzemplarë dhe 51 tituj librash të zgjedhur, botime të IETT, të tillë si: “Vajzat nga Parisi…”, tregime nga Roland Gjoza (dhe po nga ky autor edhe librat: “Zogjtë e Hiçkokut”, “Satirikon” (ese), “Njëzet Amerikat” (tregime); “Ajtanga”, tregime nga Faslli Haliti; “Rrugëtim”, nga Ridvan Pllana, mjek nga Kosova në Australi; “Kush humbet Atdheun, është Shopen’, poezi nga R. Gjoza; “Ikona pasioni të çmendur”, ese nga Xhevair Lleshi. Po nga ky autor edhe librat: “Apostuj të dashuruar”, ese, “Struktura të personalitetit”, “Logu i shpirtrave”, “Misteri Kodra”, biografi letrare, “Zemra e tim biri rreh te një tjetër”, tregime, “Kina një gravitet”, nga G. Podgorica; “Perria me brirë”, përralla dhe “Vetëm veten jo”, tregime nga Petraq Zoto; “Këpucë për gjyqin e fundit”, tregime nga Faruk Myrtaj; “Albania”, poema nga Xhemail A. Peci, “Të rritesh nga dashuria”, nga Atjon Zhiti, përgatitur nga i ati, Visar Zhiti, “Habia”, roman nga Dashnor Kokonozi, Shënimet mjaft i interesante «Të ditës që jeton vendi im» dhe «Fafin e kanë vizionet e (pa) qarta», nga autori Pjer Thomas (Pjerin Thomai) “Antverpen Belgjikë”, “Lirikat e arta të Esenoinit”, tre librat e çmuar nga Çlirim Mukli, Lirikat e mrekullueshme të Skënder Rusit, etj., etj. Një dhuratë vërtet e çmuar…
Me këtë rast, një delegacion i Institutit, përfaqësuar nga Drejtori Ekzekutiv, Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj, Koordinatorja e IETT, Znj. Anisa Hykaj dhe bashkepunëtorët: Prof. Dr. Arian Kadiu e Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu, vizituan Librotekën publike të qytetit të Ulqinit, ku u pritën nga udhëheqësja e saj, znj. Ardita Rama.
Znj. Rama falënderoi dhe përgëzoi Institutin IETT për këtë nismë të bukur, frytdhënëse dhe të domosdoshme për Librotekën e Ulqinit. Ajo u shpreh se nisma të tilla i priste edhe nga Institucione të tjera shqiptare zyrtare dhe të pavaruara, duke theksuar rëndësinë që ka pasurimi me tituj në gjuhën shqipe të këtij institucioni.
Në fund të vizitës, Institutit IETT iu dorëzua një Ҫertifikatë Mirënjohjeje nga znj. Ardita Rama, me motivacionin: “Për Kontributin e dhënë për pasurimin e koleksioneve të Bibliotekës me libra në gjuhën shqipe”.
IETT ka pasur një sërë nismash për pasurimin e Librotekave të shkollave publike e private në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, projekt të cilin pritet ta zgjerojë në të ardhmen.