Liqeni i Pogradecit, një vend që duket si përrallë në çdo stinë dhe një nga pasuritë më të mëdha e të veçanta që Shqipëria ka. Përfshin trevën përreth liqenit të Ohrit, brenda kufirit shtetëror me Maqedoninë e Veriut. Dallohet për larminë e theksuar të peizazheve, ekosistemeve dhe kontrasteve natyrore. Në përbërje të tij janë: Liqeni i Ohrit (sit i trashëgimisë natyrore botërore), gropa e Pogradecit, pragu i Çërravës, Mali i Thatë dhe pjesa lindore e Malësisë së Mokrës.
Liqeni i Pogradecit, është liqeni më i thellë tektonik në Ballkan (289m). Quhet tektonik për shkak të formimit të tij. Ishujt e lashtë të Linit dhe Ohrit janë shndërruar në gadishuj. Fusha e Linit ka ruajtur qartë gjurmët e origjinës së saj liqenore (terren i lagësht dhe ngjyra e zezë e aluviumit). Kohët e fundit arkeologët zbuluan dëshmi që Lini është vendbanimi më i vjetër palafit në Evropë, duke rritur vlerat tona si popull i lashtë Ilir dhe me origjinë nga këto troje.
Liqeni i Ohrit e merr ujin si nga rrjedha ujore sipërfaqësore, edhe nga rrjedhja nëntokësore si dhe nga Liqeni i Prespës. Rreth 50% e ujit në burimet e Shën Naumit dhe Tushemishtit në bregdetin jugor të Liqenit të Ohrit janë nga Liqeni i Prespës.
Flora dhe fauna dhe shkalla e biodiversitetit në Liqenin e Pogradecit është e lidhur fort me cilësinë e ujit të liqeneve dhe kushtet e ekosistemit. Bimësia bregdetare e Liqenit të Pogradecit është e pasur me 125 lloje, nga të cilat 9 lloje janë bimë ujore.
Fauna e peshkut të Liqenit të Pogradecit përmban 60% të llojeve endemike peshqish. Takohen 21 lloje vendase të peshqve, nga të cilat 11 shfrytëzohen për tregti, përfshirë edhe dy salmonidet e mirënjohur, Korani (Salmo letnica) dhe Belushka (Salmothymus ohridanus). Gjithashtu, lloje të rëndësishme për peshkim janë: Alburnus alburnus, Cyprinus carpio, Anguilla anguilla, Rutilus rubilio ohridanus etj.
Liqeni i Ohrit dhe liqenet e Prespës përbëjnë një bërthamë të rëndësishme të Rezervës së Biosferës. Numri i madh i fosileve të gjalla të llojeve endemike, parruazorë (sidomos molusqe gastropodë) dhe rruazorë (peshq), i japin liqenit vlera të trashëgimisë botërore.
Në territorin e PM janë evidencuar: 13 tipe habitatesh natyror, sipas Listës së Habitateve të Natura 2000, 12 lloje, floristike të rëndësishme dhe 9 lloje, endemike, 2 lloje, i përkasin aneksit IV, të Direktivës së Habitatit, dhe 1 lloj, Konventës e Bernës.
Liqeni i Ohrit dallohet për numrin e lartë të llojeve endemike të algave një qelizore ose diatomeve me mbi 80 lloje. Në liqen rritet gjithashtu edhe një makro algë endemike, Shara e Ohrit (Chara ohridana), kurse në habitatet tokësore krahas llojeve obligate të mjediseve serpentiore Festukops i serpentinës (Festucopsis serpentini) gjenden edhe 3 lloje të tjera endemike: Luleshurdha (Taraxacum ohritense, Taraxacum oppidanum dhe Taraxacum meyeri).
Më 5 Korrik 2019, për shkak të pasurisë së lartë biologjike dhe kulturore të Liqenit të Ohrit, pjesa shqiptare e tij bashkë me zonën përreth, u përfshi në Listën e Trashëgimisë mikse Natyrore dhe Kulturore Botërore të UNESCO-s.