Veshjet e sipërme që hidheshin supeve në mot të keq kanë qenë përdorur gjerësisht nga popullsia fshatare e vendit tonë.
Një mbulesë për t’u mbrojtur nga reshjet ishte edhe llabania, një kapuç prej shajaku të dhirtë, që vendosej mbi kokë e zgjatej prapa në shpinë pothuaj deri në bel e më poshtë.
Burimet e shkruara të kohës antike nga njëra anë dhe monumentet arkeologjike nga ana tjetër janë të mjaftueshme për të provuar karakterin ilir të këtij petku.
Ndër monumentet më të qarta nga kohët e lashta përmendim një bust gruaje të gjetur në qytetin antik të Dimalit (rr. i Beratit), i cili u përket shekujve III-II para e.s, si dhe një gur varri të gjetur në Koplik, ku shihen dy gra të cilat mbajnë llabane në kokë.
Në monumentet e përmendura bie në sy fakti se llabane mbajnë vetëm gratë kurse burrat përkrah tyre kane vetëm strukën në formë shalli, të hedhur supeve.
Forma e llabanes që mbahet sot te ne nuk ndryshon fare nga ajo e bustit të gruas të gjetur në Demal.