Tiranë, 16.07.2020.

IETT zhvilloi në ambjentet e tij, mbledhjen e radhës së Bordit Drejtues, për të analizuar veprimtarinë e gjashtëmujorit të parë të vitit 2020, ku aktivitetet në kuadër të tre sektorëve kanë qenë në qendër të punës së Institutit.

Të pranishëm në këtë mbledhje ishin themeluesi i IETT dhe Kryetari i Bordit, Prof. Xhevair Lleshi; Drejtori i IETT, Prof. Ass. Dr. Ramiz Zekaj; anëtarët e bordit, Ambasador Kujtim Morina, Prof. Dr. Valter Shtylla dhe Z. Buron Kaceli; koordinatorja e IETT, Znj. Anisa Hykaj dhe sekretarja e IETT, znjsh. Resilda Muca.

Në fjalën e mirëseardhjes, kryetari i Bordit Drejtues, Prof. Xhevair Lleshi, vlerësoi arritjet e Institutit dhe bashkëpunimet e reja të krijuara si rrjedhojë e tyre. Duke i uruar suksese IETT, ai njoftoi dorëheqjen e tij si Kryetar Bordi për ta pozicionuar kontributin e tij në vazhdim si një bashkëpunëtor i jashtëm.

Në vazhdim, koordinatorja e IETT, bëri një prezantim të aktiviteteve të zhvilluara nga Instituti në 6-mujorin e parë të 2020, të tilla si: workshope, seminare, hapja e Departamentit të Gjuhëve të Huaja, hapja e qendrës CIRD, pjesëmarrja në konferenca dhe panaire ndërkombëtare, antarësimet e IETT në organizata botërore dhe europiane, projektet në vazhdim etj,.

Drejtori Ekzekutiv i IETT, Prof. Ass. Dr. Ramiz Zekaj, në vijim hapi diskutimin për ndryshimet e mundshme strukturore të Institutit IETT duke renditur disa nga objektivat e IETT për 6-mujorin e dytë të vitit 2020.

Pas këtij prezantimi të hollësishëm, anëtarët e Bordit të përbërë nga emra të njohur të fushës së edukimit, trashëgimisë kulturore dhe turizmit shqiptar, dhanë propozimet dhe sugjerimet përkatëse, që synojnë mbarëvajtjen e planeve dhe projekteve në të ardhmen si edhe propozuan dhe votuan unanimisht, Prof. Dr. Valter Shtylla në pozicionin e Kryetarit të Bordit Drejtues të IETT.

Anëtarët e Bordit vlerësuan pozitivisht punën e IETT në realizimin e pritshmërive në kuadër të objektivave të këtij instituti. Ata dhanë sugjerimet dhe propozimet e tyre për punën në vazhdim të IETT.