Instituti i Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit (IETT), zhvilloi mbledhjen e radhës të Bordit Drejtues, për të analizuar veprimtarinë e vitit 2021 dhe planin në perpektivë për vitin 2022.
Në këtë mbledhje ishin të pranishëm: Kryetari i Bordit, Prof. Dr. Valter Shtylla; Drejtori Ekzekutiv i IETT, Prof. Ass. Dr. Ramiz Zekaj; anëtarët e bordit: Ambasador Kujtim Morina dhe Z. Buron Kaceli; koordinatorja e IETT, Znj. Anisa Hykaj dhe sekretarja e IETT, Zj. Resilda Muça.
Në fjalën e mirëseardhjes, kryetari i Bordit Drejtues, Prof. Dr. Valter Shtylla, vlerësoi arritjet e Institutit përgjatë këtij viti dhe foli për bashkëpunimet e reja që IETT ka krijuar.
Në vazhdim, koordinatorja e IETT, bëri një prezantim të aktiviteteve të zhvilluara nga Instituti përgjatë vitit 2021, të tilla si: konferenca ndërkombëtare, workshope, seminare, trajnime të ndryshme për studentë dhe target grupe të tjerë, internshipe të ofruara për studentë, pjesëmarrje në konferenca dhe seminare ndërkombëtare, projektet në vazhdim etj.
Gjithashtu, ajo prezantoi hapjen e sektorit të ri IETT Tourism si një sektor më vete, i cili do të jetë në shërbim të turistëve. Gjithashtu Koordinatorja e Institutit prezantoi faqen e re të websitit IETT-së dhe mënyrën e re të ndarjes së tij etj.
Drejtori Ekzekutiv i IETT, Prof. Ass. Dr. Ramiz Zekaj, në vijim hapi diskutimin për ndryshimet e mundshme strukturore të Institutit, duke renditur disa nga objektivat e IETT për vitin 2022. Në vijim anëtarët e Bordit dhanë propozimet dhe sugjerimet përkatëse, që synojnë mbarëvajtjen e projekteve të planifikuara nga stafi administrativ për të ardhmen, si edhe propozuan e votuan ndryshimet statuore që do të pasqyrohen në ecurinë e punëve gjatë vitit 2022.
Një ndër pikat që u diskutua ishte shtimi i bordit të IETT me një anëtar të ri. Bordi votoi unanimisht për Prof. Dr. Nevila Nikën, historiane dhe me një karrierë të gjatë akademike, e cila do t’i bashkohet bordit IETT në vijim.
Anëtarët e Bordit vlerësuan pozitivisht punën e Institutit në realizimin e pritshmërive dhe objektivave përgjatë këtij viti, duke shtuar edhe nje numër sugjerimesh e propozimesh për punën në vazhdim të IETT.