Në datat 3-4 tetor 2020 u mbajt në Vlorë, Konferenca Ndërkombëtare me temë: “Mësimi përgjatë jetës në Epokën Digjitale”, e cila pati si synim nxitjen e të mësuarit përgjatë jetës dhe shfrytëzimin e potencialeve të teknologjive digjitale. Pjesëmarrësit vinin nga fusha e disiplina të ndryshme shkencore, institucione kërkimore-shkencore, shtetërore e private, ofrues të arsimit,
institucione të bashkësive fetare islame, udhëheqës të komunitetit, mësues e predikues nga Shqipëria, Kosova, Bosnjë-Hercegovina, SHBA, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Presheva.
Kjo konferencë u organizua nga AIITC dhe IIIT nën koordinimin e Institutit të Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit (IETT), në bashkëpunim me Qendrën për Studime të Avancuara(CNS), Universitetin Kanadez të Teknologjisë (CIT) dhe Qendrën për Mirëkuptim Ndërkulturor “Horizonti”, në Mal të Zi dhe Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë.
Në sesionin prezantues mbajtën fjalën e rastit, Sekretari i Përgjithshëm i IIIT Prof. Dr. Omar H. Kasule, Drejtori i AIITC Dr. Ardian Muhaj, Drejtori i CNS Prof. Dr. Ahmet Alibašić dhe Drejtori i IETT Prof. Ass. Dr. Ramiz Zekaj. Dita e parë e punimeve pati tri sesione me ligjërata që kishin në fokus: mjetet dhe burimet e aplikimit të metodave të avancuara në mësimin on-line, rëndësia e të mësuarit përgjatë gjithë jetës, sfidat e njeriut në Epokën digjitale, Islami dhe mësimi virtual, biblioteka digjitale, platformat e mësimit on-line për studentët e arsimit të lartë, terminologjia e gjuhës shqipe në Epokën digjitale etj.
Në ditën e dytë të konferencës një vend të veçantë zuri kumtesa e Prof. Dr. Omar H. Kasule, Sekretar i Përgjithshëm i IIIT, me temë: “Mësimdhënia on-line në të ardhmen – Të mësuarit dhe hulumtimi”.
Përgjatë dy ditëve të punimeve të konferencës njëzet e gjashtë referuesit paraqitën rezultatet e hulumtimeve të tyre mbi tematikën e konferencës dhe parashtruan propozimet dhe mendimet e tyre mbi të ardhmen e arsimit përgjatë gjithë jetës në epokën digjitale.

Në fund të ditës së dytë, u bënë përmbledhjet e rezultateve dhe arritjeve të konferencës, e cila nxiti frymën e bashkëpunimit dhe ndërveprimit mes pjesëmarrësve dhe rezultoi si një përvojë e dobishme për ta.