Mozaiku i Tiranës është i vetmi monument arkeologjik brenda territorit të qytetit të Tiranës dhe një nga dëshmitë historike, kulturore më domethënëse të qytetit.
Gjatë punimeve për ndërtimin e një godine banimi në bllokun “Partizani”, në vitin 1972, u hasën rrënojat e një ndërtese antike, njëri nga ambientet e të cilit ishte i shtruar me mozaik.
Pjesët e mureve, fragmentet e tullave, pjesët e enëve prej qeramike, mozaiku, e datuan vendbanimin në në shekullin I pas Krishtit, i cili në shek. III mendohet se u zëvendësua nga një kompleks godinash, të ndara në dy pjesë në pars urbana (pjesa për banim e vilës) dhe në pars rusticae (pjesa prodhuese e vilës) të cilat po ashtu kishin funksion bujqësor.
Më vonë, në shek. IV-V pas Krishtit vendin e vilës romane duhet ta ketë zënë një kishë paleokristiane. Kisha është ndërtuar në sallën qendrore të banesës rurale. Si të gjitha kishat e kësaj periudhe (gjysma e dytë e shek. IV pas Krishtit) edhe këtu kemi një riorganizim të ambienteve të brendshme. Brendësia ka tashmë një aks gjatësor dinamik pikërisht si rezultat i hyrjes përballë altarit, që theksohet nga ritmi i arkadave. Arkitektura e kishës është e thjeshtë.
Gjatë transformimit të banesës në objekt kulti janë përdorur tulla, me simbole kryqesh, të datuara këto në periudhën e Perandorit Kostandin I (306-337). Ambientet ndihmëse në anën veriore të ndërtesës janë përshtatur nga ato të banesës.
Mozaiku përmban motive gjeometrike e floreale por edhe motive tipike të Krishtërimit të hershëm, si gërsheti i stilizuar, rozetat e peshqit.
Pavarësisht se ndodhet i tërhequr nga qendra e Tiranës, është një prej destinacioneve të itinerarit kulturor turistik, por edhe qendër për zhvillimin e aktiviteteve dhe orëve mësimore për nxënësit e shkollave.
Mozaiku u rihap për publikun në janar 2010. Vendndodhja e tij është pranë “Sheshit Zogu i Zi” dhe vetëm pak minuta larg nga aty, përbri rrugës “Sandër Prosi”. Hyrja në mozaik është falas dhe mund të vizitohet nga dita e hënë në të premte, nga ora 08:00-16:00.