Sot Durrësi ka muzeun arkeologjik më të madh në Shqipëri. Muzeu i vjetër u hap në mars të vitit 1951 nga Vangjel Toçi, i njohur dhe si babai i arkeologjisë durrsake, duke ekspozuar objektet e zbuluara në nëntokën e zonës së Durrësit. Godina e muzeut të ri u hap në vitin 2002 dhe u rikonceptua në vitin 2015, ku ekspozohen mbi 2 mijë objekte që nga prehistoria e deri në shek IV pas erës sonë.
Sapo hyni në muze do të gjeni një nga skulpturat më të bukura, statujën e Geas, perëndeshës së tokës e të pjellorisë. Kjo statujë është gjetur në vitin 2005 në qytetin e Durrësit, te skulptura e perandorit romak. Muzeu është i ndarë në tre seksione, seksioni i periudhës prehistorike, helenistike dhe romake.
Seksioni i periudhës prehistorike përfshin Dyrrahun e para 3000 viteve, periudhë e cila është e pasur me artefakte të ndryshme, që nga sëpata prej bronzi, e duke vijuar me koka çekiçësh prej guri. Në Muzeun Arkeologjik do të njiheni edhe me periudhën helenistike, e cila është e pasur me objektet prej qeramike, te cilat janë të dizajnuara me figura të ndryshme. Objekte të tilla janë tregues të një zhvillimi kulturor dhe ekonomik të qytetit përgjatë kësaj periudhe.
Veç të tjerash në këtë seksion do të shihni të ekspozuara edhe 10 fragmente të figurave të ndryshme, që paraqesin hyjninë e Artemisës. E cila njihet si hyjnesha që vigjilonte qytetin në dy drejtime: siguronte mbrojtjen ushtarake të tij si njohëse e natyrës, dhe njëherazi bënte të mundur vijimësinë e popullatës së qytetit nëpërmjet mbrojtjes që ajo u jepte femrave.
Seksioni i fundit i këtij muzeu është ai i periudhës romake, i cili prezantohet me monedhat e prera në Dyrrahun antik, që dëshmojnë zhvillimin e qytetit përgjatë periudhës romake. Në të do të gjeni edhe thesarin e Durrësit, një zbulim i bërë në vitin 1941, pranë pazarit të qytetit. Thesari i takon viteve 170 e.s dhe monedhat e gjetura i përkojnë Perandorisë Romake.