Muzeu Etnografik ose ndryshe Banesa e Llavdës ndodhet përgjatë rrugës kryesore për në kalanë e Beratit. Pas restaurimit të ndërtesës në vitin 1979, në ambientet e saj u vendos Muzeu Etnografik i Beratit.  Kjo banesë karakteristike është aktualisht ndër të paktat në gjininë e banesave me çardak. Ajo vjen në ditët e sotme pa ndryshime të mëdha, duke ruajtur si vlerat e jashtme, ashtu dhe ato ornamentike në brendësi te saj.

Në  katin e sipërm na prezantohen disa shembuj të dhomave me funksionet përkatëse të mënyrës së jetesës familjare në zonën e Beratit. Një pus i vjetër në oborrin e shtëpisë është një objekt që karakterizon jo vetëm shtëpitë e Beratit, por e gjen gjerësisht të përhapur në Shqipëri. Muzeu Etnografik ka një koleksion të pasur prej 1300 objektesh, që është dëshmi e rëndësishme e traditave të zonës së Beratit.