Muzeu Etnografik i Krujës është së bashku me Muzeun Kombëtar Skënderbeu. Muze Kombetar (Nr. 27/2018, Neni 202, Qendra Muzeore Krujë-“Muzeu Kombëtar Skënderbeu, Muzeu Etnografik Krujë”, Muze Kombetar). Muzeu Etnografik ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muze është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanëve, që në atë kohë ishin sundimtarë të Krujës. Ndërtesa e ndërtuar nga Ismail Pashë Toptani, i përket vitit 1764, është e tipit çardak dhe ka stil oriental. Në të gjenden piktura të stilit barok dhe islamik, të cilat zbukurojnë dhomat kryesore të saj. Muzeu, i cili në origjinë ka qenë haremlleku i Toptanasve, është shpallur i tillë në vitin 1959.
Objektet e ekspozuara në ketë muze kanë vlerë shumë më të vogël historike dhe etnografike krahasuar me vetë Muzeun, i cili është unik në trevat e Ballkanit. Banesa është monument kulture i kategorisë së I-rë. Në mjediset e muzeut na jepet një pamje e plotë e zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si dhe e mënyrës së jetesës, duke filluar që para tre shekujsh. Në muze janë ekspozuar objekte prej qeramike, druri, guri, hekuri, pambuku, mëndafshi, leshi, qëndisma. Gjurmë të tjera në ketë muze dëshmojnë se Kruja në fillimet e saj ka qenë një vend blegtoral e bujqësor, e me pas ka nisur të njihet si vend tregtar e zejtar. Objekte të tjera janë dëshmi që tregojnë se Kruja ka njohur mjeshtërinë e punimit të gurit, për ndërtim banesash dhe prodhimin e ornamenteve për varre, oxhaqe etj. Druri është punuar për dekoracione tavanesh, dyer e dritare dhe në objekte të tjera të përdorimit shtëpiak.