Muzeu Historik Kombëtar është muzeu më i madh në Shqipëri, por edhe një nga më të rëndësishmit. Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981. Ai është institucioni më i rëndësishëm muzeor në Shqipëri.
Muzeu Historik Kombëtar synon të nxisë mirëkuptimin e vlerësimin e historisë së Shqipërisë te publiku. Ndërtesa e Muzeut Historik Kombëtar zë një sipërfaqe të përgjithshme prej 27.000 m2. Ka një fasadë dominante, kjo falë mozaikut gjigand të quajtur “Shqipëria”, me dimensione 10 x 40 m, një vepër arti ku paraqiten heronjtë shqiptarë të etapave të ndryshme historike, me theksin që i vihet klasës punëtore.
Në mjediset e muzeut janë rreth 6200 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore, duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Objekte të ekspozuara janë rreth 3100 dhe pjesa tjetër e objekteve janë në fonde. Aktualisht Muzeu Historik Kombëtar ka shtatë pavijone të cilat janë: Lashtësia, Mesjeta, Ikonografia, Rilindja Kombëtare, Pavarësia, Pavijoni i persekutimit komunist dhe Pavijoni i Nënë Terezës.
Kryevepër e padiskutueshme e sallave të këtij pavioni është mozaiku “Bukuroshja e Durrësit”, që daton në shek. IV para Krishtit, dhe është punuar me gurë zalli të formave të ndryshme. “Dea e Butrintit” është gjithashtu një nga objektet më të njohura të zbuluara në Shqipëri, ku arti klasik vjen përmes gjithë shkëlqimit të vet.