I krijuar në kuadër të 100 vjetorit të krijimit të ushtrisë, ky muze pasqyron ngjarjet më të rëndësishme ushtarake, si dhe shpreh identitetin dhe zhvillimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Muzeu i armëve numëron tre pavijone: pavijonin e epokës, pavijonin e periudhës së komunizmit dhe pavijonin që gjendet në pjesën e jashtme të muzeut.
Pavijoni i epokës nis me periudhën e Skënderbeut, aty gjendet topuzi i drurit i shek. XV-të i përdorur në kohën e Skënderbeut, si dhe armë të ndryshme të kësaj periudhe. Përveç vlerave historike, ky pavijon është një dëshmi e gjallë e artizanatit shqiptar, pasi në të gjenden koburet e viteve 1900-të, të cilat shquhen për dekorimet e tyre.
Në pavijonin e periudhës së komunizmit gjenden armë, bereta, pajisje teknike të komunikimit, uniforma dhe tenda ushtarake të kësaj periudhe. Përveç ushtrisë janë të shumta dhe objektet muzeore të flotës detare shqiptare.
Ndërkaq, pavijoni në pjesën e jashtme të muzeut përfshin armatimet e rënda, si: avionët, helikopterët edhe tanket.
Prej gati 8 vitesh Muzeu i Forcave të Armatosura ndodhet në ambientet e brendshme të Ministrisë së Mbrojtjes. Për të vizituar këtë muze, duhet bërë një rezervim paraprak.