Ky muze i veçantë në llojin e tij është ngritur plot pasion dhe përkushtim në Tiranë, ku nëpërmjet koleksionit të rrallë të fakteve dhe objekteve përshkruan jetën e gruas shqiptare që nga antikiteti deri në diktaturë.
Pjesë e këtij muzeu janë veshje, sende të jetës së përditshme, enë, pajisje shtëpiake, fotografi, dokumente, gazeta, revista, që kanë në fokus figurën e gruas shqiptare.
Në muze spikat periudha e komunizmit me objektet dhe informacionet mbi jetën e grave në familje dhe punë. Një veshje tjetër karakteristike e ekspozuar në këtë muze është edhe xhubleta, veshja e lashtë shqiptare, që vishej zakonisht nga gratë e Malësisë së Madhe e të Dukagjinit, në veri të Shqipërisë.
Por ky muze nuk është vetëm etnografik. Edhe pse i pasur me veshje dhe aksesorë të ndryshëm, synimi i tij nuk është vetëm përshkrimi i pamjes së gruas shqiptare, por edhe përshkrimi i rolit, kontributit dhe pozicionit të saj në shoqëri në periudha të ndryshme historike.
