Ndre Mjeda (1866-1937) ishte klerik, atdhetar, filolog, poet dhe aktivist i madh i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Lindi më 20 nëntor të vitit 1866 në Shkodër dhe si i ri me intelekt të zhvilluar, i talentuar tërhoqi vëmendjen e jezuitëve, të cilët menduan ta bënin prift. Ai vazhdoi më pas studimet fetare në Spanjë, Itali e Poloni. Më 1883 studioi në Kroaci retorikë, latinisht dhe italisht. Nga viti 1884 deri në fillim të vitit 1887 u edukua në një kolegj që drejtohej atje nga Universiteti Gregorian i Romës, kurse më 1887 u transferua në një kolegj Gregorian tjetër në Kieri. Më 1908 ishte pjesë e Kongresit të Manastirit bashkë me At Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Hilë Mosin dhe Mati Logorecin, si përfaqësues i Shkodrës dhe variantit të shkronjave latine. U zgjodh anëtar i Komisionit për Hartimin e Alfabetit të Njësuar të Shqipes dhe anëtar i Komisisë Letrare Shqipe. Në periudhën e hovit të lëvizjes demokratike, Ndre Mjeda mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit Demokratiko-Borgjez u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift i thjeshtë në Kukël. Nga viti 1930 qe mësues i gjuhës dhe letërsisë shqiptare në kolegjin jezuit në Shkodër, ku edhe vdiq më 1 gusht të 1937.
Shtëpia e Mjedës është shndërruar në një shtëpi muze ku ekspozohen sendet e poetit, materialet fotografike, tekstet kërkimore, librat dhe shumë objekte të tjera. Jeta e kësaj qendre ka kaluar nëpër shumë kthesa. Në vitin 1991 u mbyll, ndërsa në vitin 1993 misionarët e Nënë Terezës “e lidhën” kishën me shtëpinë, duke i dhënë formën që kanë edhe sot.
Aktualisht, kisha dhe shtëpia janë restauruar dhe është një muze kushtuar figurës së tij. Në katin përdhes ka gjashtë hapësira, në të cilat ekspozohen pjesë origjinale të kishës së ndërtuar nga vetë Ndre Mjeda, të cilat janë rozeta e fasadës së kishës, guri i dyshemesë së re dhe të vjetër, pjesët e kornizës së tavanit të murit ndarës të katit të dytë, dhe disa objekte të tjera.
Kati i parë përbëhet nga 5 hapësira, korridori dhe 4 hapësira, ku në secilën prej këtyre dhomave shfaqen dokumente, fjalime dhe artefakte të Ndre Mjedës. Dhoma e parë në këtë kat është një sallë pune, në të cilën mendohet se Ndre Mjeda kalonte orë të tëra dhe përpilonte poezitë e tij, veprën e tij në albanologji, libra shkollorë dhe vepra të tjera të çmuara që na la sot. Në këtë dhomë ndodhet një nga artefaktet më të çmuara të këtij personaliteti, një tavolinë pune 102-vjeçare, e cila është gjetur vetëm pak vite më parë në Muzeun Historik të Shkodrës dhe është restauruar në vitin 2013 në Institutin e Monumenteve të Kulturës.
Në dhomat e tjera do të gjeni veprat e tij poetike dhe disa foto të Ndre Mjedës, disa nga tekstet që ka shkruar Ndre Mjeda, fjalimet parlamentare, disa letra korrespondence të Ndre Mjedës me disa nga figurat më të shquara të asaj kohe, si dhe disa botime kushtuar Ndre Mjedës nga prifti Dom Nika Ukgjini dhe studiuesi Mentor Quku. Prifti që do t’ju mirëpresë në këtë muze, do t’ju udhëzojë dhe do t’ju tregojë më shumë për këtë figurë të rëndësishme.