Muzeu i Pogradecit ndodhet në qendër të qytetit dhe përbëhet nga 3 pavianë kryesorë dedikuar Arkeologjisë, Etnografisë dhe Historisë. Artefaktet dhe dokumentet historike janë vendosur në mënyre kronologjike dhe tipologjike që vizitorët të kenë mundësinë të ndjekin evolucionin e objekteve në ekspozitë; mjetet e punës, qeramikat, mjetet e luftës, bizhuteritë, monedhat dhe veshjet. Muzeu i Pogradecit është një godinë dy-katëshe, që ekspozon objekte qe fillojnë nga vendbanimet më të vjetra në zonën e Pogradecit.
Koleksioni përbëhet nga një sërë objektesh që i përkasin periudhave të ndryshme historike. Disa artefakte arkeologjike datojnë nga neoliti, rreth 8000 vjet më parë, ndërsa të tjerë i përkasin mesjetës së vonë. Objektet etnografike datojnë nga fundi i mesjetës deri në fillim të shekullit XX, ndërsa dokumentet dhe fotografitë i përkasin periudhës nga shek. XVII deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Në Muze gjenden dy përkrenare ilire, që në llojin e tyre janë të veçanta, pasi nuk ka më shumë se 30 ekzemplarë në gjithë Ballkanin.
Muzeu i Pogradecit ka një fond prej 1500 objektesh, ndërkohë që vetëm 400 prej tyre janë të ekspozuara, ndërsa pjesa tjetër gjendet në fondet e këtij muzeu. Vlera e objekteve është shumë e madhe sepse rajoni i Pogradecit ka pasur një histori ndryshe nga qytetet e tjera të Shqipërisë. Për këtë arsye shumica e objekteve janë nga një kontekst i veçantë historik lokal dhe janë unike në krahasim me ato të pjesëve të tjera të territorit shqiptar.