I themeluar që në vitin 1948, Muzeu i Shkencave të Natyrës u bë pjesë e Qendrës Kërkimore të Florës dhe Faunës të Fakultetit të Shkencave Natyrore në vitin 2010.
Ky muze, i cili ndodhet në rrugën Petro Nini Luarasi në qytetin e Tiranës, është qendër e rëndësishme shkencore e specializuar në fushën e vlerësimit të larmisë, monitorimit dhe inventarizimit të faunës shqiptare: Entomofaunës (Insektet), Herpetofaunës (Amfibët dhe Reptilët), Ornitofaunës (Shpendët), Mammalofaunës (Gjitarët), Makrobentofaunës (Molusqe, Krustace) etj.
Në MSHN ekspozohen mbi 3,000 ekzemplarë dhe ka një fond shkencor me mbi 100 mijë ekzemplarë të faunës shqiptare. Gjithashtu, në të gjenden eksponante të drurëve e shkurreve, mineraleve dhe shkëmbinjve kryesorë të vendit. Ky fond pasurohet përherë me lloje të reja për shkencën, duke u zbuluar përherë të parë në vendin tonë.