Në vitin 2019 u hap për publikun shtëpia e Ismail Kadaresë në Tiranë, ku ai ka jetuar dhe shkruar pjesën më të madhe të librave të tij.
Pallati i tij, ashtu i palyer, i vjetër, tipik i kohës së komunizmit, pasqyron jetën e shkrimtarit gjatë periudhës totalitare. Brenda apartamentit ekspozimi ndahet midis dokumenteve origjinale, objekteve, librave edhe mobilieve.
Ndalesa më e pëlqyeshme është dhoma personale e shkrimtarit, aty spikasin titujt e librave që kanë influencuar Kadarenë, të vendosura në një raft të bardhë të montuar nga vetë shkrimtari.
Përbri librave ndodhet oxhaku, e përballë oxhakut, tryeza e shkrimtarit, me makinën e tij të shkrimit.
Një tjetër dhomë interesante është salloni qendror ku gjenden shkrime origjinale, tekste të revizionuara nga vetë Kadare, fotografitë e tij familjare, letërkëmbime të tij me personazhe të njohur të botës letrare, madje edhe blloku i tij i kujtimeve.
Shtëpia ku shkrimtari jetoi e punoi nga viti 1974 deri në fillim të viteve ’90 ndodhet në rrugën e Dibrës në Tiranë dhe mund të vizitohet nga kushdo që ka dëshirë të njihet më nga afër me jetën e shkrimtarit.