Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” është përuruar më 1 Nëntor 1982. Ky muze është ndërtuar në kalanë e famshme të Krujës, kryeqendra e shtetit të arbërit dhe personifikim i disfatës së ushtrive turke, për tri herë rresht, në shek. XV. Muzeu është konceptuar si memorial, ku arkitektura sinkronizohet me historinë dhe artet mesjetare.
Për përmbajtjen e tij, bashkë me arkitektët punuan një grup historianësh të udhëhequr nga Kristo Frashëri dhe një grup piktorësh të udhëhequr nga Bashkim Ahmeti. Në këtë muze janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë. Në këtë muze numërohen pavione të tilla si pavioni i antikitetit dhe mesjetës së hershme, pavioni i principatave shqiptare, i pushtimit osman dhe përballimit të këtij pushtimi, pavioni i kështjellave mesjetare, i qëndresës shqiptare, kanceleria e Skënderbeut, biblioteka, salla e princave, e pinokotekës dhe së fundi pavioni i trashëgimisë dhe i jehonës.
Muzeu tregon në mënyrë kronologjike dinamikën e jetës së principateve shqiptare, nëpërmjet objekteve prej qeramike, bronxi, hekuri e bakri, ikonave origjinale, shpatave të kohës, deri edhe një këmbanë të vitit 1462. Afresket e lakuara në muret e muzeut frymëzohen nga arti bizantin. Aty shfaqen portretizime romantike që nga rikthimi i Skëndërbeut në Krujë deri tek glorifikimi i bashkimit të principateve. Muzeu i Skënderbeut është i pajisur me guidë në gjuhët shqip dhe anglisht duke i dhënë një impuls domethënës njohjes së heroit të shqiptarëve, figura e të cilit është bërë pjesë e bibliografive të njohura në botë dhe ka frymëzuar artistët shqiptarë.