Historia e fotografisë në Shqipëri fillon me italianin Pietro Marubbi, i cili u vendos në qytetin e Shkodrës gjatë gjysmës së dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, ku hapi dhe studion e parë të fotografisë në 1858-ën. Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubbi” është muzeu i parë i fotografisë në Shqipëri, që u hap në maj 2016 nga koleksioni i ish Fototekës Kombëtare “Marubi”.
Duke mos pasur fëmijë, ndihmësit e parë të Pietro Marubit dhe vijuesit besnikë në fushën e fotografisë ishin Mati dhe Kel Kodheli, djemtë e kopshtarit të tij, Rrok Kodheli. Pietro e dërgoi Matin, më të madhin nga dy vëllezërit, për të studiuar fotografinë në studion Sebastianutti & Benque në Trieste, Itali. Me vdekjen e parakohshme të Mati Kodhelit në moshën nëntëmbëdhjetë vjeçare, Pietro adoptoi Kelin, të cilin po ashtu e dërgoi për të studiuar në Itali e në vazhdimësi ai trashëgoi edhe mbiemrin Marubi.
Pas vdekjes së Pietros në vitin 1903, Keli trashëgoi studion e babait të tij adoptues dhe vazhdoi punën. Nga ana tjetër, puna e tij u pasua nga i biri i tij, Gegë Marubi, i cili studioi për fotografi dhe kinematografi në studion e vëllezërve Lumière, në Francë. Në arkivin e muzeut mund të gjeni negativë me tema nga etnografia, urbanistika, monumentet e kulturës, historia, pazari, lundrimi në Bunë etj., Gegë Marubi, i fundit i dinastisë Marubi, ishte mjeshtër i portretit dhe i peizazhit me infra të kuqe. Ajo çka vihet re në tre brezat e fotografëve është dëshira për të qenë modern dhe në këtë të jetë në hap me trendet bashkëkohore estetike dhe teknologjitë e reja.
Me ardhjen e komunizmit në vitet e 1940, kur çdo aktivitet i ndërmarrjeve private u ndalua me ligj e në pamundësinë për të ushtruar e promovuar punën e tij ose atë të paraardhësve të tij, Gegë Marubi u detyrua t’i dorëzojë shtetit arkivin e familjes. Në këtë mënyrë, në pamundësinë për të drejtuar biznesin privat, ai mund të vazhdonte mbikëqyrjen e arkivit Marubi.
Nga fondi i tyre u themelua Fototeka “Marubi” si sektori i Muzeut Historik të Shkodrës, e cila do të qëndronte aty deri në vitin 2003, kur kaloi si institucion më vete. Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” ruan dhe promovon vlerat e një koleksioni fotografik prej më shumë se pesëqindmijë negativësh, që shtrihet nga gjysma e dytë e shekullit XIX e deri në fundin e shekullit.
Arkivi i familjes Marubi, së bashku me arkivat e shumë fotografëve të tjerë në pronësi të muzeut, dokumentojnë momente të rëndësishme të jetës sociale, kulturore dhe politike të shqiptarëve përgjatë një shekulli e gjysmë. Arkivi i Fototekës është shumë i pasur dhe përmban rreth 500 mijë fotografi, të gjitha prej negativi, në xham dhe në rula film, të përmasave të ndryshme.