Një godinë ku do të gjeni frymëzim më shumë se gjithçka tjetër. Qyteti i pavarësisë është njëri ndër vendet më të vizituar në të gjithë Shqipërinë. Buzë detit të këtij qyteti gjendet edhe shtëpia e selisë së Qeverisë së Vlorës, 1912. Kjo godinë, fillimisht ka shërbyer si ndërtesë e Karantinës, e pas shpalljes së pavarësisë më 28 nëntor të vitit 1912, u bë selia e Qeverisë së Përkohshme të Ismail Qemalit për 14 muaj, deri në 22 janar të vitit 1914.
Nga viti 1936 deri në vitin 1939 ka shërbyer si muze historik. Pasi kaluan 50 vjet nga vendimi i shpalljes së pavarësisë, godina u shpall Muze Kombëtar. Godina përbëhet nga dy kate me nga dy dritare. Gjithashtu ka edhe dy hyrje, ku njëra nga hyrjet ka pamje nga deti ndërsa tjetra ne drejtim te kundërt me të. Kur je para saj sytë të shkojnë direkt të ballkoni në të cilin u ngrit flamuri. Aty vazhdimisht qëndron një flamur krenar si përcjellës i gjurmeve të historisë sonë.
Muzeu është i pajisur me dokumente të rëndësishme. Me fotografitë e Ismail Qemalit dhe të Isa Boletinit. Brenda godinës ju mund të shihni kabinetin e punës si dhe sallën e mbledhjeve të qeverisë së përkoshme të Ismail Qemalit, flamujt origjinal të çetave kryengritëse, libra origjinalë të rilindësve të asaj periudhe. Pastaj disa objekte origjinale të Plakut mjekërbardh si: kallamri me shqiponjën e bronztë, karriga e punës etj.
Gjithashtu vlen të thekshet se ju do të keni mundësi të mira për të parë edhe objekte të tjera origjinale, që pasqyrojnë përpjekjet e luftërat e popullit shqiptar për çlirim kombëtar. Një gjë është e sigurt, pasi të mbaroini vizitën në këtë vend kaq të rëndësishëm të historisë sonë, do të përjetoni ndjenja të papërshkrueshme kombëtare.