Ndërtesa e njohur si ‘Shtëpia me gjethe’, e quajtur kështu për shkak të bimës kacavjerrëse që mbulonte fasadën e saj, dhe që kanë kuptimin e gjërave të fshehura që publiku nuk i dinte në atë periudhë, është kthyer tashmë në ‘Muzeun Kombëtar të Përgjimeve’. Muzeu Kombëtar ‘Shtëpia me Gjethe’ ndodhet në zemër të qytetit, përballë kishës Ortodokse dhe pranë Bankës Kombëtare të Shqipërisë. Muzeu është hapur për publikun që në 23 Maj 2017. Shtëpia me gjetheve u ndërtua në 1931 dhe fillimisht funksiononte si klinikë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ajo u përdor nga Gestapo si zyrë hetimi, dhe pas Luftës së Dytë Botërore, u përdor nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, si seli investimi, por dhe torture për kundërshtaret e regjimit.
Brenda saj do shihni fakte dhe histori të persekutimeve të kundërshtarëve politikë, por dhe histori spiunazhi, pajisje të kohës që përdoreshin për gjithë këto investigime dhe përndjekjeje të vazhdueshme ndaj njerëzve të dyshuar. Ashtu si vetë historia e Shqipërisë nën diktaturën komuniste, që u instalua me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore dhe vazhdoi pothuajse një gjysmë shekulli, edhe Shtëpia me Gjethe për një kohë të gjatë ka qenë e mbështjellë me gjithfarë legjendash dhe shfaqte një të panjohur, një mister.
Muzeu, i konceptuar me nëntë seksione përbëhet nga 31 dhoma të lidhura me koherencë mes tyre dhe çdo dhomë ka një funksion të veçantë, si Historia e shtëpisë, Çimka dhe krijesa të tjera, Mikrofonat e gjallë, Ç’është armiku?, Armiku i jashtëm, Intermexo, Jeta e përditshme nën vëzhgim, Zëra nga e kaluara, Panoptikon-Panakustikon dhe E kaluara e pashëruar. Ky muze zbulon për herë të parë për publikun mënyrat e avancuara të kontrollit të vendit dhe jetëve të shqiptarëve. Disa seksione i dedikohen përgjuesve të ndryshëm, mikrofonëve të fshehur si edhe informatorëve.
Më tej, vjen paradigma e “armikut”, atij të jashtëm e të brendshëm, aty ku përqëndrohej një pjesë e madhe e vigjilencës. Dhoma e ndenjes zbulon një arredim tipik shqiptar të viteve ’70-të, por më tepër se kaq, aty çdo shqiptar kujton shtëpinë e rinsë apo fëmijërisë dhe kupton, pa fjalë, se sa e kontrolluar dhe e izoluar ka qënë vërtet jeta e tij. Një tjetër ambjent tejet interesant quhet “Panopticon dhe Panacusticon”, i cili mendohet të jetë përdorur si laborator teknik dhe shkencor i fotove, inçizimeve dhe xhirimeve sekrete.