Ky atraksion ndodhet midis fshatrave Nikolicë dhe Arrëzë, në juglindje të maleve të Moravës. E veçanta e kësaj zonë është se dallohet për ndërtim fiziko-gjeografik të ndërlikuar. Përbëhet nga shkëmbinj magmatikë, terrigjenë dhe shumë pak nga gëlqerorë.
Është zonë ndërkufitare me rëndësi për shkëmbimin e elementeve faunistike dhe floristike me Greqinë. Ka mjaft bimë të rralla dhe nënendemike. Pylli dominohet nga Ahu (Fagus sylvatica), i shoqëruar nga Bredhi i Maqedonisë (Abies borisii regis), më rrallë nga Pisha e zezë (Pinus nigra) dhe Qarri (Quercus cerris). Është pikë e rëndësishme edhe për kurrizorët e mëdhenj: Ariu (Ursus arctos), Ujku (Canis lupus), Dhia e egër, Kaprolli, që i japin rëndësi ballkanike për vlera didaktike, shkencore, biologjike.
Ky është një nga rajonet që njihet shumë pak nga turistët e zakonshëm, por për vlerat që mbart është një aset mjaft me vlerë. Është strehë e shumë bimëve të rrezikuara, endemike, sub-endemike, kafshëve të ndryshme gjithashtu të rrezikuara, ka një bukuri të rrallë natyrore që gati i jep pamjen e një zone të egër të pa shkelur kurrë më parë.