Pranë qytetit të Fierit, ndodhet parku arkeologjik i qytetit më të madh të Ilirisë së jugut, Bylisit.
Dokumenti më i hershëm që flet për Bylisin është shkrimi i gjeografit grek Pseudo-Skylaks, 380 p.kr., ku thuhet: “Orikët banojnë në krahinën e Amantisë, amantët që shtrihen deri këtu jane ilirë nga bylinët”
Bylisi i vjetër u ndërtua në bazë të planit arkitektonik të Hipodamnit.
Që në shek. III. p.e.s. qyteti pajiset me monumente të shumta dhe të rëndësishme, si: teatri me hapësirë për 7500 spektatorë, i cili shërbente jo vetëm për shfaqje të ndryshme teatrale dhe muzikore, por edhe si vend mbledhjesh ku merreshin vendime të rëndësishme për vendin. Krahas teatrit qyteti kishte stadiumin e vet, dy shëtitore, depozitën e ujit, prytaneonin, gjimnazin, altarë dhe banesa, rrënojat e të cilave mund t’i hasim edhe sot.
Përveç objekteve të rëndësishme publike, qyteti kishte punishtet e veta të poçarisë, ndërtimit, skulpturës, metalpunuesit, si dhe punishten e prerjes së monedhave të veta.
Pozita mbizotëruese mbi kodrat e Mallakastrës, peizazhet e lumit Vjosa dhe gjelbërimi që rrethon Parkun Arkeologjik të Bylisit, dëshmojnë se jo më kot në një nga epigramet e zbuluar në atë zonë shkruhej: “O i huaj, mos e shmang vështrimin nga bukuria e Bylisit”.