Qyteti antik i Foinikës mori statusin Park Arkeologjik Kombëtar në vitin 2005. Foinikia ka një histori të lashtë, e cila ka qenë kryeqendra e kaonëve, ndërsa në shekullin III u bë kryeqyteti i gjithë shtetit të Epirit. Sipas Polibit, ka qenë qyteti më i fortifikuar i Epirit. Ngrihej në një kodër në formën e një anijeje të përmbysur.
Parku Arkeologjik i Finiqit ndodhet në një kodër 283 m mbi nivelin e detit, 9 km në lindje të qytetit të Sarandës. Fshati i sotëm ndodhet në rrëzë të kësaj kodre. Parku ka tre seksione muresh të ruajtura në kodër: muret e akropolit, muret e periudhës së zgjerimit të akropolit dhe muret e qytetit të fortifikuar. Këto mure datohen me përafërsi midis shek. IV dhe II para Krishtit. Në brendësi të mureve ndodhen rrënojat e mureve greke dhe romake. Në akropol është zbuluar një thesar i vogël, që në periudhën bizantine u shndërrua në baptister. Janë gjendur edhe tre cisterna që i përkasin periudhës midis shek. V dhe shek. III para. kr. dhe disa rrënoja ndërtesash.
Hapësira shumë e madhe e teatrit (rreth 17 000 vendeshe), që ndodhet në mes të kodrës me hapje në drejtim të Manastirit të Dyzetë Shënjtorëve shërbente në atë kohë si vend i mbledhjeve të “Publikut të Epirotëve rreth Finiqit”, në të cilat merreshin demokratikisht vendimet për paqen ose luftën ose shqyrtimi i çështjeve. Teatri është rindërtuar tre herë, pasi nga gërmimet u zbuluan tre konstruksione të ndryshmëm. Faza e parë i përket fillimeve të shekullit të IV para Krishtit. Materiali ndërtues është vendas, veçanërisht guri i skenës ka ardhur nga e njëjta kodër. Faza e dytë e ndërtimit i përket shekullit të III-të para Krishtit. Zgjerimi i skenës u diktua në çastin kur Finiqi u bë qendra e Kaonisë dhe kryeqytet i Epirit. Teatri që u ndërtua në këtë fazë i tejkalon dhe përmasat e teatrit të Dodonit. Në skenën e teatrit u gjetën piedestale shumë të mëdhenj me gjurmë këmbësh përsipër, që mbanin gjithashtu shtatore shumë të mëdha perëndish ose perandorësh të lashtë.
Në bazilikën e parkut ekzistojnë mbetje kishe kristiane, ndërsa në vendin e quajtur “Palea Avli” jane ende rrënoja tempujsh paleokristianë me mozaikë të larmishëm. Tempulli episkopik i Finiqit, në nderim të emrit të Virgjëresha “Zoodochos Pigi”, duket se që në fillim se ishte ndërtuar mbi një bazilikë më të vjetër dhe më vonë u rindërtua me të njëjtin emër në qendër të qytezës që ndodhet në shpatet e malit.
Gërmimet e arkeologëve në Finiq zbuluan banesën karakteristike me dy peristile të shekullit të III-të para Krishtit. Banesa kishte prerje tërthore thuajse katërkëndshe dhe mbulon një sipërfaqe prej 700 m2. Përbëhet nga një oborr i madh katërkëndësh me peristil, rreth të cilit rreshtohen disa ambiente të vegjël. Shtrirjen dhe fuqinë e Finiqit e tregojnë Nekropoli, me qeramikën e saj të pasur, por dhe monedhat e shumta që u gjetën me mbishkrimin “ΦΟΙΝΙΚΑΙΕΩΝ. Mbishkrimet e monedhave dëshmojnë për shkëmbimet tregtare të Finiqit me qytete të lulëzuar gjatë shekujve IV-I para Krishtit.