Një nga zonat më të vizituara në Vlorë, Orikumi, nuk është vetëm një qytet turistik bregdetar, por edhe një vendbanim i lashtë ilir, themeluar në shekullin Vl p.e.r, në trojet e fisit ilir të amantëve, mbi kodrën e njohur me emrin Paleokaster.
Përmendet nga autorët antikë të shekullit të V p.e.r si port i rëndësishëm i Adriatikut. Aktualisht, është zbuluar vetëm një përqindje e vogël e këtij qyteti antik, por gërmimet arkeologjike në të ende vazhdojnë.
Në tarracën jugore janë zbuluar rrënojat e një ndërtese të tipit monopter, një monument atipik me formë katrore dhe unik për botën antike, i datuar në shekullin III-II p.e.s.
Një nga ndërtesat më monumentale të zbuluara në Orikum është teatri, ai daton në fillimin e shekullit të III, p.e.s. dhe paraqet disa karakteristika të rralla për teatrot e botës antike.
Ndërsa, gërmimet e dy viteve të fundit kanë nxjerrë në dritë materiale të fortifikimit të antikitetit të vonë, siç është rasti i një kulle të kësaj periudhe në tarracën lindore.
Kombinimi i rrallë i elementeve historike, arkitektonike, arkeologjike, si dhe peizazhi unik midis lagunës, detit dhe gadishullit të Karaburunit e bëjnë këtë park arkeologjik një nga vendet më tërheqëse për t’u vizituar.