Parku Kombëtar i Butrintit është një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, arkeologjike, mjedisore dhe turistike të vendit. Zemra e Parkut Kombëtar është qyteti Antik i Butrintit, ekzistenca e të cilit vazhdoi pa ndërprerje, që prej periudhës së prehistorisë e deri në mesjetë, duke ofruar kështu një shumëllojshmëri kulturash dhe periudhash historike.
Butrinti ndodhet në një kodër të ulët në fund të gadishullit të Ksamilit, i cili ndan detin Jon nga liqeni i Butrintit. Ky park, ashtu si shumë qendra të tjera të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri u shpall Monument Kulture në vitin 1948. Në rrafshin ndërkombëtar, rëndësia e qytetit antik u njoh dhe u konfirmua si e tillë në vitin 1992, kur ai u përfshi në Listën e Pasurive Botërore të UNESCO-s.
Butrinti është një mikrokozmos i historisë së Mesdheut, që prezanton ulje-ngritjet e perandorive të mëdha që kanë mbizotëruar në rajon. Në bazë të mitologjisë klasike, Buthrotum u ndërtua nga mërgimtarët që ikën pas rënjes së Trojës. Me të arritur, djali i Priamit, Helenusi, sakrifikoi një dem, i cili u përpëlit i plagosur dhe ngordhi në breg. Duke e marrë këtë si një shenjë të mbarë, vendi u quajt Buthrotum, që do të thotë “dem i plagosur”. Nga shekulli IV para Krishtit, Buthrotum-i e kishte shtuar rëndësinë e tij dhe rreth vitit 380 para Krishtit vendi u fortifikua me një mur të madh me pesë porta. Në vitin 228 para Krishtit ra nën sundimin Romak, dhe në shek. e parë para Krishtit u bë pjesë e provincës së Maqedonisë. Jul Çezari ngriti një koloni dhe vendosi veteranët e tij rreth vitit 45 para Krishtit, ndërsa Augusti e dyfishoi madhësinë e qytetit dhe kolonizatorëve Romakë.
Ndërtesa të reja u ndërtuan, përfshirë edhe një akuadukt, banjë romake, disa shtëpi, forumi dhe nimfeu. Në shek. III pas Krishtit, një tërmet shkatërroi një pjesë të madhe të qytetit, pas të cilit filloi rënia e ngadalshme por e pandërprerë e tij. Në fillim të shek. VI, Buthrotum-i u bë peshkopatë me ndërtime të reja, përfshirë edhe një baptister të madh (një nga ndërtesat paleokristiane më të mëdha të këtij lloji) dhe një bazilikë.
Teatri i Butrintit është mbështetet në shpatin e kodrës së Akropolit me pamje nga Kanali i Vivarit. Shfrytëzimi i shpatit natyror ofronte një zgjidhje praktike për vendin ku uleshin, dhe ky ishte një tipar i rëndomtë i teatrove antike greke. Teatri më i hershëm duhet të ketë qenë shumë i vogël. U zmadhua në shek. III para Krishtit dhe hapësira e ulëseve u zgjerua deri te ndërtesa e thesarit. Ndenjëset ishin të organizuara sipas një hierarkie, ulëset më të afërta me skenën ishin të rezervuara për njerëzit më autoritarë. Rreshti i parë i ulëseve ishte i dekoruar me këmbë të bukura luanësh, kurse pas ulëseve kishte blloqe të rrafshëta.
Skena e ndërtesës është rimodeluar gjatë periudhës romake, duke e bërë atë më të thellë dhe së paku dy kate më të lartë. Gjithashtu dhe auditori ishte më i zgjeruar në periudhën romake, pasi i duhej të akomodonte popullatën në rritje të qytetit. Hyrjet në teatër nga të dyja anët e skenës ishin të mbuluara me qemer. Është ende e kontestuar koha se kur doli teatri jashtë përdorimit, por ka të ngjarë që të ketë ndodhur në antikitetin e vonë, ashtu siç ndodhi kudo në botën mesdhetare. Sigurisht që shkatërrimi i strukturave dhe ripërdorimi i tyre për qëllime të tjera duhet të ketë qenë një proces i stërgjatë.
Nga shekulli V pas erës së re, krishterimi po lulëzonte në Butrint dhe qyteti kishte peshkopin e tij. Baptisteri u ndërtua në çerekun e dytë të shek. VI pas erës së re dhe mund të ketë qenë punë e artizanëve lokale. Ai u zbulua më 1928 nga Misioni Arkeologjik Italian. Është baptisteri i dytë më i madh në Perandorinë Romake. Të gjitha aspektet e arkitekturës dhe të dekorimit si dyshemeja me mozaik e baptisterit është simbolikë e ritit të pagëzimit, me burimin në anën e tij të largët që përfaqëson burimin e jetës së përjetshme. Mozaiku i jashtëzakonshëm shumëngjyrësh i dyshemesë së Baptisterit të Butrintit, është një nga mozaikët më të kompletuar dhe më kompleksë të të gjithë baptisterave të asaj periudhe. Dizajni i përgjithshëm i dyshemesë konsiston në shtatë unaza, të cilat rrethojnë vendin e pagëzimit që ndodhet në qendër, duke e rritur numrin në tetë – numri kristian për shpëtim dhe përjetësi. Vëmendja e vizitorëve që kalojnë pragun e hyrjes kryesore, tërhiqet nga dy pallonj në një hardhi që rritet në një vazo të madhe. Pallonjtë simbolizojnë parajsën dhe pavdekshmërinë; ndërsa vazoja dhe rrushi, Eukarsinë dhe gjakun e Krishtit. Në periudhën mesjetare ndërtesa u modifikua me diga guri dhe një apsidë gjysmë rrethore; një dysheme me pllaka guri u vendos mbi mozaik. Në vende të tjera në qytet deri më tani janë gjetur tetë kisha, më domethënësja është e vendosur në fushë përballë kanalit të Vivarit.
Kalaja u ndërtua në shekullin XIV nga Venedikasit në majën e kodrës, në anën perëndimore të pllajës së gjerë të akropolit antik. Ndërtesa e mëparshme mesjetare e Butrintit – Kalaja e Akropolit – është gjerësisht një rikonstruksion i viteve 1930, e cila përbëhet nga: një kullë e rëndësishme brenda një rrethimi pentagonal, me mure mbrojtëse dhe me frëngji. Kalaja të ofron një pamje të qartë të ngushticës së Korfuzit dhe kanalit të Vivarit. Ndërtesat më të hershme u pastruan për t’i lënë vendin kalasë së re, e cila nisi me një fortifikim rrethues me kulla vrojtimi dhe me vetëm një kullë të brendshme me dy kate. Një kullë e dytë u shtua më vonë brenda rrethimit mbrojtës, ndoshta ishte banesa e rojtarit. Në vitet 1930, italianët e kthyen atë në banesë për arkeologët që punonin në aty, si dhe në një muze të vogël.
Muzeu i Butrintit, i vendosur brenda kështjellës së rikonstruktuar të kodrës së akropolit, me rrethimet moderne dhe elegante u rinovua dhe u rihap në vitin 2005 për të shfaqur historinë e pasur dhe komplekse të kësaj treve. Muzeu e përshkruan historinë e Butrintit si një mikrokozmos të historisë mesdhetare, të lidhur ngushtë me pozicionimin e tij, një mikrorajon lagunor, me ilustrime me vlerë, që paraqesin banesa të rikonstruktuara me urdhër të posaçëm, si edhe me materiale të rëndësishme arkivore.