Parku Kombëtar i Dajtit është vendosur 26 km në lindje të Tiranës. Ai zë një sipërfaqe prej 3,300 ha të rrafshnaltës së Dajtit. Ky park tërheq shumë vizitorë dhe është një vend i përshtatshëm për piknik familjar, sporte, lojëra si dhe aktivitete të tjera interesante. Parku i Dajtit ka një florë dhe faunë mjaft të pasur. Bimësia e dendur e bën atë një nga zonat më të gjelbëruara në vend. Parku është i njohur për pyjet e tij ku gjenden tre kate bimore: shkurret mesdhetare me dy nën katet: makjen (bimët gjithnjë të gjelbra si shqopa, mareja, etj) dhe shkozën, dushqet si dhe kati i ahut. Pylli i Dajtit konsiderohet i paprekur nga njeriu dhe si i tillë ka vlera të mëdha shkencore dhe ekologjike.
Mjaft e pasur është edhe fauna e Parkut të Dajtit, që përbëhet nga tetë lloje gjitarësh: ariu, ujku, lepuri, iriqi, lundërza, disa lloj lakuriqësh nate, ketri, etj, nga 11 lloje shpendësh: 3 lloje shqiponjash, petriti, huta, katër lloje qukapikësh, thëllëza e maleve, nga shtatë lloje zvarranikësh, katër lloje amfibësh, etj.
Kjo zonë e mbrojtur është dhe një nga parqet kombëtare më të populluar në Shqipëri. Parku ka vlera të mëdha sportive me mundësitë për ushtrimin e alpinizmit në thepisjet e mëdha shkëmbore, për marshuta në park, për ushtrimin e sportit të rrëshqitjes me ski në lartësinë e qafës së Qershisë, etj. Vlerat e veçanta turistike të tij lidhen me klimën e shëndetshme, ajrin e pastër, pyllin e dendur, format e relievit, peizazhet e mrekullueshme që shpalosen nga lartësitë e tij si Tirana, fusha e Erzenit të Poshtëm, Durrësi dhe deti Adriatik. Në malin e Dajtit mund të shkosh duke ndjekur rrugën automobilistike ose me teleferik.