Më 12 nëntor 2024, IETT organizoi një seminar ku Z. Luan Dervishej, ekspert i turizmit me një përvojë të gjatë në menaxhimin e hotelerisë dhe turizmit, ndau njohuritë e tij mbi mundësitë e zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës në Shqipëri.
Gjatë prezantimit u diskutuan disa nga pikat kryesore të strategjisë së turizmit 2024-2030, të cilat theksojnë nevojën për të shtuar larmishmërinë e përvojave turistike përtej turizmit tradicional bregdetar.
Z. Dervishej shpjegoi se, ndonëse ky lloj turizmi është një burim i rëndësishëm të ardhurash, fokusi i tepruar në këtë sektor çon në mbipopullim dhe turizëm të pjesshëm, duke pamundësuar shfrytëzimin e plotë të potencialit të vendit dhe përfitimin e komuniteteve lokale.
Seminari theksoi prioritetet e strategjisë së turizmit, si cilësinë e shërbimeve, gjithëpërfshirjen dhe ruajtjen e trashëgimisë, duke vlerësuar nevojën për një vizion afatgjatë ku Shqipëria të bëhet një destinacion unik në Europë, me përvoja autentike dhe të larmishme, por me kosto të arsyeshme.
Në përfundim të aktivitetit, të gjithë pjesëmarrësit u mblodhën në një kokteil, gjatë të cilit diskutuan dhe ndanë mendime mbi temat e trajtuara gjatë seminarit.