Prof. Dr. Ramiz Zekaj – Kryetar i Bordit Drejtues të Institutit të Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit, si dhe kryeredaktor i revistës shkencore-kulturore “Univers”. Ai është themelues dhe anëtar bordi i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam (AIITC). Ka studiuar Orientalistikë në Fakultetin e Filozofisë, Prishtinë. Më pas ka kryer Institutin e Gjuhëve të Huaja në Medinë (dega Gjuhë Arabe), ku më vonë kreu edhe studimet e larta për Jurisprudencë Islame. Në vitin 1994 është laureuar me gradën “Doktor i Shkencave” në fushën e Historisë nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Ka mbajtur leksione në disa universitete e qendra kërkimore, si në Vjenë, Novi Pazar, Sarajevë etj. Gjatë viteve 2016-2019 ka qenë pedagog i jashtëm pranë Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, për lëndën: “Zhvillimi i kulturës islame në Ballkan”. Për më shumë se 20 vjet drejtoi AIITC, me një vizion të qartë e modern. Është autor i një sërë botimesh e artikujsh shkencorë në fusha të ndryshme si edhe anëtar i shumë organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare.
Z. Buron KACELI – Anëtar i Bordit Drejtues të Institutit të Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit. Ka përfunduar studimet e larta në vitin 1970 në Akademinë e Arteve, dega Pikturë. Disa prej veprave të tij artistike ruhen ne fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve. Disa të tjera ndodhen ne institucione shtetërore të vendit ose janë pjesë e koleksioneve private, brenda dhe jashtë vendit. Ka eksperiencë profesionale të larmishme në Galerinë Kombëtare të Arteve, në Institutin e Monumenteve te Kulturës, në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor, në Bashkinë Tiranë si Zv/Kryetar i Bashkisë dhe në vitet 2000 – 2003 si Këshilltar Bashkiak. Ai është autor i disa ekspozitave personale në: Pallatin e Kulturës (Tiranë), Sallonin e Artit (Shkodër), Pallatin e Kulturës (Durrës) etj., si edhe është bashkëautor i disa ekspozitave kolektive në: Beograd, ish-Jugosllavi “Tokë Shqiptare” (GKA), Ekspozitë në Prishtinë, Kosovë “Tokë Shqiptare” (GKA), Ekspozita në Paris, Francë “Aksion” (GKA) etj., Ekspozitë e përbashkët me artistë italianë dhe shqiptarë në Molini, Itali (Fitues i Çmimit të Kritikës), pjesëmarrës në ekspozitat vjetore të Grupit “Nëndor”, Ekspozitë në Galerinë “Kaceli”.
Z. Kujtim MORINA – Anëtar i Bordit Drejtues të Institutit të Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit. Ka përfunduar studimet e larta në Universitetin e Tiranës për Matematikë (1994), në Universitetin e Shkodrës për Juridik (2004) si dhe Master për Studime Evropiane në Universitetin e Grazit, Austri (2008). Nga viti 1999-2009, ka punuar me UNHCR, CARE dhe OSBE në Kukës. Në maj 2009, i është bashkuar shërbimit diplomatik shqiptar. Deri në mars 2013, ka punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në Drejtorinë e Evropës, Drejtorinë e Amerikave dhe në Drejtorinë e Diplomacisë Publike. Në periudhën Mars 2013 – Prill 2016 ka qenë Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Shtetin e Kuvajtit. Në Maj 2016 rikthehet në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku aktualisht është pjesë e Departamentit të Diplomacisë Ekonomike. Është njohës i gjuhës angleze dhe ka njohuri të mira në gjuhët frënge dhe arabe. Është autor i dy librave me poezi: “Dehja nën mjegull” botuar në vitin 2007, “Kthimi i syve” botuar në vitin 2010 dhe autor i librit me tregime “Herën tjetër”, gjithashtu është perkthyes i disa veprave letrare.
Prof. Dr. Valter Shtylla – Anëtar i Bordit Drejtues në Institutin e Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit. Ka përfunduar studimet në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, Universiteti i Tiranës. Në vitin 1995 është diplomuar me gradën “Profesor Doktor”. Ai është njohës i katër gjuhëve të huaja: Italisht, Rusisht, Frëngjisht dhe Serbo-Kroatisht. Ka qenë pjesëmarrës në një sërë konferencash kombëtare dhe ndërkombëtare dhe është autor i disa botimeve shkencore brenda dhe jashtë vendit. Prof. Dr. Valter Shtylla ka përvojë pune të larmishme në sektorin e trashëgimisë kulturore si: Punonjës Shkencor në Sektorin e Monumenteve Antiko-Mesjetare, Drejtor i Degës së Monumenteve në Tiranë në vitet 1974-1977, Shef i Sektorit të Monumenteve Antiko-Mesjetare në vitet 1980-1992, Drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës në vitet 1992-1998, Shef i Sektorit të Monumenteve Antiko-Mesjetare në vitet 2003-2007, Drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës në vitet 2008-2010. Gjithashtu, në periudhën e viteve 2000-2012 ka qenë President i Komitetit Kombëtar të ICOMOS.
Z. Dritan Lloci – Anëtar i Bordit Drejtues në Institutin e Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit. Ai është diplomuar në Universitetin e Tiranës, dega Gjeografi me rezultate të shkëlqyera në Bachelor, Master Profesional dhe Master të Shkencave. Aktualisht është pedagog në Departamentin e Gjeografisë, Universiteti i Tiranës. Angazhimet e tij edukative dhe profesionale brenda dhe jashtë vendit nisin që në kohën kur ishte student. Në vitin 2020 zhvilloi një trajnim në Mostar, Bosnie & Herzegovinë mbi Edukimin e të rinjve drejt sipërmarrjes, projekt i Erasmus+. Në vitin 2022 ishte pjesëmarrës në një tjetër trajnim Erasmus+ në Sivas, Turqi me tematikë për të jetuarit shëndetshëm dhe luftimin e obezitetit. Një sërë trajnimesh Erasmus+, projektesh dhe workshopesh i ka zhvilluar gjithashtu edhe në Shqipëri. Me përfundimin e Masterit të Shkencave, ai fitoi të drejtën në kuadër të programit të ekselencës për të qenë pjesë e administratës publike, në sektorin e Planifikimit dhe Performancës, AKPA. Eksperiencat e tij shtrihen edhe në fushën e projekteve të ndryshme kryesisht me sfond mjedisor dhe ambientalist.
Prof. Dr. Nevila Nika – Drejtor i Bordit Drejtues në Institutin e Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit. Prof. Nika ka kryer studimet në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, në degën Histori. Ajo ka mbajtur disa pozicione të rëndësishme si: Specialiste arkiviste në Sektorin e dokumenteve të periudhës së Mesjetës deri në vitin 1912, Shefe e Sektorit të dokumenteve të periudhës 1912-1944, Drejtore e Arkivit Qendror Shtetëror në Tiranë dhe Shefe e Sektorit të Kontrollit të Cilësisë. Nga tetori 2005 deri në tetor 2013 ka mbajtur postin e Drejtores së Përgjithshme të Arkivave të Republikës së Shqipërisë. Gjatë vitit 2014 ka punuar si Drejtore e Shërbimit të Botimeve Parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë. Prej marsit 2015 është pjesë e stafit akademik të Universitetit Europian të Tiranës. Gjatë veprimtarisë së saj si historiane e arkiviste ka spikatur kontributi i veçantë në drejtim të formimit të arkivistëve, si edhe të informimit të komunitetit të kërkuesve e të opinionit publik rreth thesarit dokumentar të Arkivit Shqiptar.
Anisa HYKAJ – Koordinatore e Institutit të Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit (IETT). Ka lindur në Tiranë dhe rrjedh nga një familje patriotike shqiptare e përkushtuar në çështjet kombëtare që nga pavarësia e Shqipërisë e në vazhdim. Edukimi i saj fillon në Tiranë për të vazhduar më tej studimet në Londër, Mbretëri e Bashkuar. Në vitin 2003 përfundon me sukses gjuhën angleze dhe certifikohet nga Universiteti i Kembrixhit. Në 2006 përfundon studimet për “Multimedia Design and Communication”, në Kolegjin Universitar “Williams”, Londër. Pas kthimit në Shqipëri, në vitet 2013-2019 ka punuar si përgjegjëse e departamentit të komunikimit elektronik në Institutin AIITC, Tiranë. Paralelisht ka mbajtur pozicionin e koordinatores për marrëdhëniet me jashtë, të konferencave ndërkombëtare dhe kombëtare. Gjatë viteve 2014-2020 ka mbajtur pozicionin e koordinatores së revistës shkencore – kulturore “Univers”. Prej shtatorit 2019 ajo punon si koordinatore e IETT, ku synon të japë ndihmesën e saj në ruajtjen dhe njohjen e trashëgimisë sonë kombëtare si edhe të promovimit të turizmit shqiptar kudo në botë. Është anëtare e Këshillit Ndërkombëtar të Muzeve (ICOM), Interpret Europe dhe European Cultural Tourism Network, ECTN.
Inesa SULAJ – Këshilltare e IETT në fushën e trashëgimisë dhe turizmit. Ajo është diplomuar në nivelin bachelor në Arkeologji dhe Menaxhim të Trashëgimisë Kulturore në Universitetin e Tiranës dhe ka kryer studimet e nivelit master në Projektim Urban dhe Peizazh në Universitetin Polis. Prej më shumë se 8 vitesh punon në sektorin publik dhe privat në Shqipëri, Ballkan dhe Mbretërinë e Bashkuar. Inesa e filloi karrierën e saj në Ministrinë e Kulturës në Shqipëri, ku punoi në Departamentin e Trashëgimisë Kulturore dhe Muzeologjisë; dhe më pas ka punuar me USAID-in, projektet e Ambasadës së SHBA-së në fushën e turizmit dhe trashëgimisë kulturore dhe si konsulente për projekte të ndryshme në Shqipëri. Gjatë vitit 2021 Inesa i është bashkuar skuadrës së Galerisë Kombëtare të Arteve si Eksperte Edukimi dhe në fund të këtij viti fitoi të drejtën e studimeve nëpërmjet programit Chevening, ku ndoqi masterin e dytë në Studimet Muzeale, në Universitetin Leicester, Mbretëri e Bashkuar. Gjatë kësaj kohe Inesa punoi si Eksperte Edukimi në Attenborough Arts Center, si dhe në Qendrën e Vizitorëve të Mbretit Richard III në Leicester City. Inesa është gjithashtu bashkëthemeluese e MuZEH Lab me qendër në Durrës, anëtare e Rrjetit Ballkanik të Muzeve, Këshillit Ndërkombëtar të Muzeve (ICOM) dhe Interpret Europe.
Alma MULAJ – Ekonomiste në Institutin e Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit. Ka kryer studimet e nivelit Bachelor në degën Financë – Kontabilitet pranë Kolegjit Universitar Instituti Kanadez i Teknologjisë, CIT. Krahas studimeve dhe punës ka marrë pjesë në trajnime, seminare dhe projekte të ndryshme në fushën e ekonomisë dhe financës. Ka njohuri shumë të mira në Financa 5, si edhe në programe të fushës së IT-së. Alma zotëron një nivel të avancuar të gjuhës angleze dhe gjermane. Fushat e saj të interesit janë ekonomia, financa dhe sistemet bankare.
Muhamedali KURA – Përgjegjës i Qendrës së Inovacionit, Kërkimit dhe Zhvillimit pranë Institutit të Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit. Është i specializuar si Inxhinier programues dhe data architect. Ka përfunduar studimet në nivel Bachelor për “Software Engineering” pranë Institutit Kanadez të Teknologjisë. Aktualisht ndjek studimet Msc. për “Computer Engineering – Big Data”. Krahas studimeve dhe punës ka marrë pjesë në trajnime dhe projekte të ndryshme në fushën e Data Analysis and Machine Learning si nje inovacion i ri jo vetëm në Shqipëri por kudo në botë.