Nën tingujt e gurgullimave të ujit, në një luginë të gjelbëruar, i rrethuar me male, fshati i Tamarës ngjan si një amfiteatër natyror.
Tamara shtrihet buzë lumit Cem, i cili i jep asaj një pamje magjepsëse.
Emri i këtij fshati është i lidhur me një histori të lashtë, por të bukur. Tamara ishte emri i gruas së një Pashai të Shkodrës, e cila kontribuoi në ndërtimin e një ureje të re në gjysmën e dytë të shekullit XVIII mbi lumin Cem. Kështu, si ura, ashtu edhe fshati që u krijua më vonë morën emrin e saj.
Tamara është gjithashtu e njohur për shpellat karakteristike, të cilat zbulojnë sekrete të kohës parahistorike të Arbërit. Ndër to vlen të përmendet shpella e Bunëve të Maçurkut, e Lugjeve të Bardhit, Nënfateshë etj. Por më e vizituara deri tani është ajo e Malqe Gradës.
Temperaturat e freskëta, ajri i pastër, natyra e mrekullueshme dhe ushqimet e shijshme të zonës kanë bërë që ky fshat të jetë një ndër vendet më të preferuara për të gjithë ata që pëlqejnë natyrën dhe turizmin malor në Shqipëri.