Vallet dropullite shoqërohen me këngë homophone (me tekst). Kjo valle lidh njerëzit fizikisht dhe shpirtërisht, prandaj edhe festat janë evenimentet më të mira në jetën e njerëzve sepse përfshijnë traditat dhe gëzimet e jetës së përditshme.
Vallja dyshe, është një valle emocionale që kërcehet në formë rrethore gjë që na shpie në shek V p.e.s., ku sipas Iliadës së Homerit, Korifeu i valles, me 50 vetë nga pas, kërcenin për nder të Dionisit (perëndi e begatisë) rreth bustit imagjinar të tij, duke u lutur për begati e prodhimtari.
Quhet valle dyshe sepse që në lashtësi kërcehej me dy lëvizje, lëvizja e parë: këmba e majtë del një hap para; dhe lëvizja e dytë: këmba e djathtë e shoqëron këmbën e majtë.
Edhe sot kjo valle kërcehet në formë rrethore, afër njëri tjetrit, me duar lidhur gjysëm grusht. Vallja i afron dhe i miqëson pjesëmarrësit dhe është forma më e mirë për të shfaqur bukurinë trupore dhe shpirtërore.
Në krye të renditjes në valle respektohet mosha, ndërsa në festa fetare respektohet hierarkia klerike. Por, sot nuk respektohet kjo traditë.