“Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës është i pari institucion që përkujton viktimat që vuajtën dënimin në burgjet e regjimit komunist. I konceptuar si hapësirë muzeale që nga shtatori 2014, sot është një memorial i periudhës së diktaturës komuniste, ku pjesa më kulmore janë qelitë origjinale të paraburgimit, të ish Degës së Brendshme.
Në fund të hapësirës së qelive ndodhet edhe dhoma e torturave ku shpesh ndaj të burgosurve ushtroheshin tortura fizike e morale. Kalimi në zonën e gelive bëhet përmes një galerie ekspozimi me elementë që simbolizojnë torturën dhe dhimbjen duke përkujtuar edhe ecjen drejt vuajtes, të njëjtën rrugë me gjatësi (rreth 50m) që përshkronte i arrestuari nga momenti që zbriste nga makina tip GAZ deri kur kyçej në qeli.
Në sallën e ekspozimit të objekteve, ndodhen objekte historike, dëshmi dhe materiale të përdorura nga të burgosurit gjatë hetuesisë dhe kryrjes së burgimit. Ata janë sjellë për ekspozim nga vetë të burgosurit dhe familjet e tyre. Në ekspozitë pasqyrohen edhe dokumenta origjinale të kohës që dëshmojnë persekutimin komunist në qytetin e Shkodrës; kryengritjet e para antikomuniste në Shqipëri, gjyget ushtarake, persekutimi i klerit, internimet, arratisjet e deri tek dënimet me pushkatim.
Ky muze pasqyron të kaluarën, por jo vetëm, aty trajtohen aspekte të burgimit për arsye politike dhe mekanizmave e kohës, ku është krijuar një kulturë kujtese historike shoqëruar me fakte dhe dëshmi, duke iu drejtuar kryesisht brezit të ri, që të ndërgjegjësohet ndaj gabimeve të së shkuarës, e të jetë pararendës në ndërtimin e një shoqërie demokratike të lirë dhe të sigurtë.