IETT dhe ITSHKSH, dy institucione që bashkojnë Tiranën dhe Shkupin në projekte të përbashkëta
Më datë 30 maj 2024, IETT zhvilloi një vizitë në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, ITSHKSH në Shkup, ku u prezantua veprimtaria e dy institucioneve dhe u diskutuan projekte me interes të përbashkët.
Pjesëmarrës në takim ishin një delegacion nga IETT, i përbërë nga: Prof. Dr. Ramiz Zekaj, Kryetar i Bordit Drejtues; Prof. Dr. Nevila Nika, Drejtoreshë Ekzekutive si dhe koordinatorja znj. Anisa Hykaj. Delegacioni u mirëprit nga drejtori i ITSHKSH, Dr. Skënder Asani dhe këshilltarët shkencorë, Dr. Zeqirija Ibrahimi dhe Dr. Sevdail Demiri.
Në këtë takim, përveç të tjerave, u diskutua një projekt i rëndësishëm i IETT-së, rreth organizimit të një konference të përbashkët për Hoxha Kadri Prishtinën, një ndër figurat më të rëndësishme historike dhe themelues i Komitetit për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës, një organizatë patriotike e themeluar në vitin 1918.
Për këtë konferencë, në të cilën do të përfshihen disa institucione, Dr. Skënder Asani tregoi gatishmërinë e plotë për bashkëpunim, duke vlerësuar rolin qendror që Komiteti ka patur në disa drejtime.
Sipas prof. Nevila Nika, rëndësia e Komitetit qëndroi edhe në faktin se ishte nismëtar i Kongresit të Lushnjës, që shërbeu si pikënisje e shtetndërtimit të shtetit shqiptar.
Ndërkaq Prof. Zekaj shprehu besimin se një konferencë e tillë do të sjellë prurje të rëndësishme nga studiuesit, pasi ka akoma shumë dokumente nëpër arkiva që nevojitet të dalin në dritë për të mos u mbetur borxh figurave që kanë qenë në krye të ngjarjeve përcaktuese kombëtare.
Këtë gjë e theksoi edhe Dr. Zeqirija Ibrahimi, duke thënë se me konferencën që do të realizojmë, do të arrihet ajo që vetë Komiteti ka synuar në të kaluarën, bashkimi i kombit, në këtë rast në kuptimin kulturor e shkencor.
IETT vlerëson dhe e sheh shumë të rëndësishme bashkëpunimin me institucionin homolog ITSHKSH, Shkup, në çuarjen përpara të projekteve të rëndësishme, me interesa të përbashkëta në shërbim të komunitetit dhe kombit.
Në fund të takimit u shkëmbyen botimet e fundit mes dy institucioneve.