Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, IETT organizoi një vizitë kulturore në Muzeun Etnografik dhe Kalanë e Elbasanit, me studentët e Kolegjit Universitar “Instituti Kanadez i Teknologjisë”, CIT.
Gjatë vizitës në këtë muze, studentët mësuan se ai pasqyron në mënyrë të detajuar trashëgiminë dhe kulturën, zejtarinë e kohës dhe jetën e përditshme të banorëve të këtij qyteti.
Ata patën mundësi të njihen nga afër me punimet e metalpunuesve dhe artizanëve, orenditë tipike elbasanase, dhomën e punimit të leshrave dhe metaleve, dhomat e grave dhe të burrave.
Gjithashtu, studentët u përfshinë në bashkëbisedime me specialistën e Muzeut zj. Ajdi Kokoshi dhe muzeologen zj. Inesa Sulaj, duke dhënë mendime të ndryshme rreth mënyrës sesi teknologjia mund të ndërthurej me tradicionalen me qëllim që muzetë në të ardhmen të jenë sa më tërheqës për brezat e ardhshëm.
Vizita përfshiu edhe Kalanë e Elbasanit, ku të rinjtë u njohën me monumentet që ndodheshin brenda saj, si Kulla e Sahatit, xhamia Mbret, kisha “Fjetja e Shën Marisë”, shkolla e vjetër e kalasë, apo çdo shtëpi e rrugicë brenda kësaj kalaje, e cila mbart gjurmë të lashta të historisë së gjatë të këtij vendi.
IETT i vlerëson organizimet e këtij lloji si një mundësi e shkëlqyer që studentët të njohin trashëgiminë historike e kulturore të vendit tonë, të zhvillojnë aftësitë e tyre organizative, si dhe të fitojnë njohuri të reja.