Xhamia e Allajbegisë është ndërtuar në një pozicion fushor, në fshatin Burim të Dibrës. Ajo përbëhet nga salla e lutjeve në formë kubike (me gjatësi 6.4 me 6.28) të mbyllur me një kube, minarja dhe themelet e një portiku. Muratura e xhamisë është me gurë e tulla, sipas teknikës së kluasonazhit, me dy rreshta tullash horizontale dhe dy tulla vertikale ndërmjet gurëve. Sipas gojëdhënës këtë xhami e ka ndërtuar një allajbeg vendas në nderim të djalit të tij (në ushtrinë osmane, allajbeg ishte komandanti i një regjimenti).
Për kohën e ndërtimit të Xhamisë së Allajbegut, duke u bazuar nga forma arkitekturore dhe nga teknika e ndërtimit, besohet që Allajbegu e ndërtoi xhaminë një vit pas vdekjes së djalit të tij (sipas gurit të varrit në vitin 1587) datimi i saj shkon përshtat me shek. XVI dhe më saktë me vitin 1588. Xhamia është kategorizuar në vitin 1970 si monument kulture i kategorisë së I, dhe është një tjetër destinacion i turizmit religjioz që po merr vëmendjen e instituteve dhe specialistëve përkatës për të qenë një atraksion i denjë dhe mikpritës për turistët e huaj dhe vendas.
Për xhaminë në fjalë ekzistojnë disa gojëdhëna, ku njërën prej tyre që lidhet drejpërdrejt me ndërtimin e xhamisë po e parqesim këtu. Pasi mbahet si një nga xhamitë e veçanta, thuhet se betoni për ndërtimin e saj është bërë me çimento, ujë dhe vezë, çka e bën atë kaq të rezistente dhe të patundshme ndaj çdo dukurie natyrore përgjatë shekujve.
