Xhamia e Sejdi Beut, ndër xhamitë më të vjetra të Prizrenit

Është ndërtuar menjëherë pas xhamisë së Jakub beut, në gjysmën e dytë të shekullit XV, dhe llogaritet si xhamia e dytë e ndërtuar në Prizren. Sipas mbishkrimit dhe dokumenteve besohet se ndërtuesi i xhamisë është Sejdi beu.

Gjendet në zonën historike të Prizrenit, në bregun jugor të lumit që kalon përmes qendrës së qytetit.

Në xhami gjenden dy mbishkrime në gjuhën e vjetër osmane ku jepen të dhënat për rinovimet e bëra në fillim dhe në fund të shek. XIX.

Që nga koha e ndërtimit, ajo ka qenë funksionale dhe në shërbim të besimtarëve për kryerjen e ritualeve fetare, përjashto këtu kohën e periudhës socialiste që ishte e mbyllur për një periudhë të caktuar, për t’u rihapur përsëri në vitin 1994, e rinovuar dhe përsëri në shërbim të qytetarëve.

Objekti është ndërtuar me teknikë tradicionale në frymën e arkitekturës popullore. Sikurse xhamitë e tjera, edhe xhamia e Sejdi beut posedon hapësirat e dedikuara për lutje, duke përfshirë hajatin, sallën qendrore të lutjes dhe minaren.

Ka planimetri drejtkëndëshe, me mure të ndërtuara nga gurë dhe qerpiçë. Minarja ka planimetri rrethore dhe është e ndërtuar nga gurët shpuzorë.

Pikturat murale në enterier, të punuara me motive florale, gjeometrike dhe pjesë nga Kurani janë vizatuar në vitin 2012.

Të gjitha ndërhyrjet që janë bërë që nga viti 1994 e këndej, kanë bërë që në disa vende të xhamisë të mos ruhet orgjinaliteti dhe vlerat autentike. Megjithatë, xhamia është shpallur monument kulturor dhe është nën mbrojtje të përkohshme nga Databaza e Trashëgimisë Kulturore e Kosovës.