Xhamia e Sinan Pashës, më e bukura në Kosovë
Është monument mjaft i rëndësishëm i trashëgimisë fetare në Prizren, si e tillë mund të quhet edhe perla e qytetit dhe lirisht mund të them se është xhamia më e bukur jo vetëm në Prizren, por edhe në Kosovë.
Xhamia e Sinan Pashës ndodhet në Zonën Historike të qytetit të Prizrenit. Me pozitën e saj dominuese, dimensionet, formën, proporcionin e minares ndaj kupolës, materialet dhe teknikën e ndërtimit, dekorimet e pasura në enterier, Xhamia e Sinan Pashës paraqet njërin prej monumenteve më karakteristike të qytetit antik të Prizrenit.
Ajo ka filluar të ndërtohet në vitin 1607 dhe ka përfunduar në vitin 1615. Ndërtimi i saj e mban emrin e Sofi Sinan Pashës, njeri me pozitë të rëndësishme në administratën Osmane.
Xhamia ka planimetri katrore dhe qasja nga rruga bëhet në anën veriore nëpërmjet shkallëve të gdhendura prej guri. Minarja e xhamisë është ndërtuar prej gurëve shtufe (siga), me bazë katrore dhe trung rrethor. Para hyrjes në xhami ndodhet hajati i hapur, gjithashtu i punuar prej guri.
Hajati mbi vete përmban tri kupola të mbuluara me plumb të cilat mbështeten në shtylla guri me bazë rrethore. Kurse xhamia mbulohet me një kupolë të gjerë më diametër 42.5 m. Enterieri është hapësirë unike, e ndriçuar përmes dritareve të radhitura në nivele.
Në pjesën e brendshme, kupola është e pikturuar me motive florale dhe islame në tri fazat e punimeve të saj. Dy fazat e para të pikturave u takojnë shekujve XVI-XVII të punuar me teknikën “al seko”, kurse faza e tretë i takon periudhës së shekullit XIX të punuar në stilin Barok, ku kryesisht ngjyra e kaltër është dominuese.
Përgjatë historisë, xhamia nuk ka shërbyer përherë për nevoja fetare për shkak të rrethanave jo të favorshme të herëpashershme në Kosovë.
Deri ne vitin 1912, ajo përmbushte nevojat fetare të besimtarëve, ndërsa gjate luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore pësoi mjaft dëmtime, sidomos pjesa e hajatit. Me formimin e Entit për Mbrojtjen e Përmendoreve Kulturore në vitin 1967, filloi përkujdesja për monumentet. Ndërsa gjatë viteve 1968- 69 pas një renovimi xhamia shndërrohet në Muze të Dorëshkrimeve Orientale.
Nga viti 2007 deri në vitin 2011 janë bërë punimet restauruese si në enterier po ashtu edhe në eksterier derisa u hap përsëri në shërbim të besimtarëve, menjëherë pas mbarimit të restaurimeve.
Në anën jugore të saj, krahas rregullimit të oborrit është hapur edhe një lokal tradiconal, ku banorët e kësaj ane relaksohen përballë xhamisë me pamje jashtëzakonisht të bukur.
Për fund do thënë se xhamia në fjalë, në vitin 2016 është shpallur në mbrojtje të përhershme nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.