Xhamia Mbret, e quajtur dhe e Bajazitit, është një nga xhamitë kryesore të qytetit të Beratit e shpallur monument kulture që në vitin 1948.
Ajo është ndërtuar nga Sulltan Bajaziti II, në fund të shekullit të XV.
Xhamia përbëhet nga salla e lutjeve, portiku dhe minarja.
Salla e lutjeve është me planimetri drejtkëndëshe. Ajo ndahet nga arkade prej tre harqesh që në muret anësore mbështeten në dy shtylla dhe dy pilastra.
Salla mbulohet nga tavani prej dërrasash, të cilin, arkada mbajtëse e strukturave të çatisë e ndan në dy pjesë të veçanta.
Tavani përbëhet prej dhjetë kupolash dhe zbukurohet me gdhendje druri me mjaftë hijeshi, sipas frymës së kohës. Në qendër të tavanit ka rozeta me mbishkrime të thënieve të ndryshme kuranore. Një frizë poshtë tavanit përmban 99 emrat e Allahut.
Në formulimin arkitektonik të xhamisë Mbret një vend të rëndësishëm zë dhe portiku. Ai rrethohet nga arkada që mbështeten në pilastra masive në të katër qoshet, në portën e hyrjes dhe në shtylla, në pjesët ndërmjet tyre.
Një element me mjaft vlerë për këtë ndërtesë është minarja elegante, e lartë dhe e hollë. Ajo është e ndërtuar me gurë çmërsi të suvatuar.
Nga mbishkrimi, që ruhet i pikturuar në strukturat e mafilit, mësojmë se xhamia në fillim të shek. XIX ishte në rrezik shembjeje dhe prandaj u rindërtua.