Ksamili ndodhet në jug të qytetit të Sarandës, në dalje të rrugës për në Butrint dhe është pjesë e Rrethit të Sarandës. Qyteti i Ksamilit është i rrethuar nga uji, me detin Jon në Perëndim dhe në brendësi liqeni mahnitës i qytetit të vjetër të Butrintit
Ksamili përbën një nga perlat e natyrës shqiptare. Me vijë bregdetare të larmishme me gjire, kepa, ishuj, shkëmbinj, me monumente kulture, me Butrintin dhe Sarandën afër dhe rrugën detare nga Greqia në Itali, ky vend ofron një turizëm elitar. Buzë bregdetit të Ksamilit, shtrihen dy plazhe të gjata me rërë dhe limane të vogla të izoluara, me ujërat e pastër si kristali nga kanali që kalon midis Shqipërisë dhe Korfuzit. Ujërat e ngrohta të Ksamilit do t’ju çojnë në të famshit “tre ishuj” ku mund të bëni zhytje apo të bëni banjo dielli në një mjedis të mrekullueshëm.
Ksamili është i përshtatshëm për turizmin familjar kur gjatë stinës së verës qindra turistë marrin me qira dhoma dhe apartamente për pushimet e tyre duke shijuar pamjen e detit dhe ishujve të vegjël shkëmborë me një bimësi të egër të dendur. Me një lartësi nga 7.5 deri në 15 metra mbi nivelin e detit këta ishuj janë vendosur pranë njeri-tjetrit të mbuluar me një vegjetacion tipik
mesdhetar mjaft të zhvilluar.
Më herët Ksamili ishte një fshat i vogël peshkimi, ose që ishte i njohur si një vend afër parkut arkeologjik të Butrintit, por në vitet e fundit kjo ka ndryshuar, ai është kthyer në pikë kyçe të turizmit në Shqipëri. Me një plazh mahnitës dhe ujë të pastër, është një nga bukuritë e këtij vendi. Edhe bota nënujore është një tjetër mrekulli që nuk e gjen gjetkë. Koralet shumëngjyrëshe, peshqit dhe gjallesat e larmishme, anijet e mbytura, reliket historike dhe objektet e shumta janë një rast i papërsëritshëm për ju.
Për ata vizitorë që i pëlqejnë aventurat mund të kenë dëshirën për të eksploruar zonën përreth duke ecur nëpër male duke ndjekur rrjedhat ujore të Rivierës Shqiptare, kurse për ata që
dëshirojnë të shijojnë pije me pamje kah deti mund të ulen në restorantet dhe baret me mjaft komoditet që gjenden në këtë vend të mrekullueshëm.